Jose Mourinho tregon se mbetet një nga trajnerët më të mirë në qarkullim, pasi udhëheq Romën drejt një finaleje europiane që në vitin e parë me verdhekuqtë.
Pas ndeshjes së kthimit ndaj Leicester, trajneri portugez deklaroi se kjo ishte një fitore familjeje, duke evidentuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të tifozëve në tribuna.
“Ishte fitore e një familjeje, që është e bashkuar në fushë e në tribunë. Kemi krikuar një empati të jashtëzakonshme dhe ndihemi tamam si një familje e madhe. Tani të shkojmë në Tiranë dhe të fitojmë”, u shpreh portugezi.
Tammy Abraham ishte njeriu që shënoi golin e kualifikimit në finale, megjithatë Mourinho uli me këmbë në tokë të yllin anglez dhe vlerësoi grupin.
“Tammy e di mirë që unë refuzoj ta lavdëroj, pasi ai mund të bëjë shumë më tepër në fushë, me cilësitë që ka. Portieri ynë ka bërë vetëm dy pritje në 180 minuta ndaj Leicesterit dhe kjo nxjerr në pah forcën e grupit dhe sakrificën. Sot vuajtëm mungesën e Mkhitaryan, por Zaniolo e Pellegrini bënë një punë fantastike”, tha Mou.
