U duk si një transferim i kryer ai i Vedat Muriqit te Club Brugge nga Lazio për shifrën e 11 milionë eurove. Megjithatë, në momentin e fundit belgët kanë bërë prapakthehu teksa pretendojnë se sulmuesi i Kosovës nuk është në gjendjen e duhur fizike dhe se nuk ia doli të kalonte vizitat mjekësore.
Por, te Lazio nuk i besojnë aspak pretendimit të belgëve ndërsa presidenti Claudio Lotito është i irrituar teksa e konsideron këtë si një lojë të Brugge për të ulur vlerën e kartonit të Muriqit. Mediat italiane raportojnë se nëse kampionët e Belgjikës nuk ndryshojnë qasje dhe refuzojnë nënshkrimin me ish-futbollistin e Mallorcas, atëherë do t’i drejtohen FIFA-s për dëmtim të klubit kryeqytetas.
Lazio do të ankohet me arsyetimin se sjellja e Brugge është jashtë rregullores ndërsa në këtë mes dëmtohet edhe imazhi i klubit. Nëse çështja shkon deri në FIFA dhe nëse Lazios i jepet e drejta, atëherë bardhekaltërit do të mund të përfitonin edhe një dëmshpërblim monetar nga belgët.
