Kombetare

Mustedanagiç nis grumbullimin me U17: Olympiacos na bllokoi tre talente

 

Një javë grumbullim për t’i dhënë formë kontingjentit të përfaqësueses së 17-vjeçarëve, e cila do të nisë edicionin e ri. Trajneri Xhemal Mustedanagiç publikoi listën me 23 lojtarë, mes të cilëve janë të pranishëm mbrojtësit Smajlaj i Fiorentinës, Llapi i Valencias apo Asllani i Empolit e Dajku i PAOK-ut. Në ekip bie në sy edhe prezenca e mesfushorëve Erik Troqe nga Milani, Dervishit të Atalantës e Papës nga AEK-u i Athinës dhe sulmuesit Krasniqi të Tottenham-it. Megjithatë shqetësim për trajnerin e Kombëtares së moshave mbetet sjellja e klubeve greke.

Prej nëntorit të kaluar kemi nisur grumbullimet me turneut që morëm pjesë në Turqi, gjithashtu në janar të këtij viti zhvilluam një grumbullim të zgjeruar me 45 futbollistë dhe tre portierë. Ka qenë një punë mjaft e madhe, duke i parë së bashku lojtarët që luajnë jashtë vendit dhe ata të kampionatit shqiptar. Një problem të vazhdueshëm e kemi me ekipet greke, specifikisht me Olympiacos-in, ku luajnë tre elementë që premtojnë shumë, por nuk i lejuan të grumbulloheshin këtë herë. Shpresoj që ata t’i bashkohen ekipit në të ardhmen. Ky është grumbullimi i fundit seleksionues dhe më pas do të caktoj 23 elementët  që do të përbëjnë grupin, ku natyrisht skuadrës do ti bashkohen prurje të reja nëse bëhet fjalë për lojtarë shumë të talentuar.

Pas grumbullimeve, Mustedanagiç do të nisë testimin e përfaqësueses së 17-vjeçarëve në ndeshje. Duke nisur nga turneu që do të zhvillohet nga 19 deri më 24 prill në San Marino, ku kundërshtarë do të jenë edhe Italia e Armenia, për të vazhduar me miqësoret e muajit shtator me vendet fqinje, si Maqedonia, Mali i Zi ose Kosova. Objektivi është kualifikimi në Elite Round.

Nëse edhe tre lojtarët e Olympiacos do ti bashkohen ekipit tonë, mendoj që do të kemi një skuadër shumë të fort. Bëhet fjalë për një brez të talentuar. Në tetor nisin ndeshjet kualifikuese, takimi i parë është më datë 23 kundër Norvegjisë, në datën 26 luajmë me Sllovakinë, kundërshtar që shpresojmë të na sjellë sërish fat, sepse sllovakët i kishim për herë të fundit kundërshtar kur jemi kualifikuar. Ndeshja e fundit është ajo me Azerbajxhanin më datën 29 tetor.

To Top