Nga 6 skuadra që qëndrojnë më lart në renditje, Milani është përballur me 5 prej tyre, të cilat i kanë shkaktuar edhe 5 humbjet sezonale, në këto 12 javë të para të Serisë A.
Të shtunën, Milani do të udhëtojë në Napoli, ku do të përballet me skuadrën e vetme që ka mbi vete, me të cilën nuk është ndeshur ende. Kjo sfidë do të jetë shansi i fundit për skuadrën e Montellës, që t’i tregojë kritikëve se ky Milan mund të përballet edhe me ekipet e mëdha, por mbi të gjitha do të jetë shansi i fundit për të shpresuar arritjen e njërit prej 4 vendeve të para, që e çojnë në Champions League.
Kuqezinjtë kanë grumbulluar vetëm 19 pikë në 12 javë dhe një humbje tjetër, do të komplikonte edhe më shumë situatën, për më tepër që 5 skuadrat e para të renditjes, Napoli, Juventus, Inter, Lazio dhe Roma, po ecin me një ritëm të shkëlqyer.
Në këtë sfidë, Montella do të ketë mundësi të bazohet te dyshja Bonaventura-Suso, ndërsa është rikthyer edhe Lucas Biglia. Kjo është një mundësi e artë për kuqezinjtë, që të ndalin Napolin dhe të rinisin rrugën drejt Europës.
