Basketboll

NBA/ Curry magjik, udhëheq Warriors në përmbysjen ndaj Cavs

Steph Curry shënoi 40 pikë, për të ndihmuar Warriors në një përmbysje të madhe jashtë fushe ndaj Cavaliers. Golden State vazhdon të mbetet ekipi më i mirë në këtë edicion të 76 të NBA dhe franchise kalifornian ia doli mbanë për të regjistruar fitoren e 13 në 15 ndeshje, për të konsoliduar akoma më shumë pozitat në klasifikimin e përgjithshëm të Konferencës së Perëndimit. Në edicionin e kaluar të kampionatit më spektakolar në rruzull ekipi nga San Francisco vuajti dëmtimet e shumta dhe për pasojë Warriors i mbyllën ndeshjet në “regular season” vetëm në vendin e nëntë, e siç dihet pas humbjeve të njëpasnjëshme me rezultat tepër të ngushtë në sfidat me eliminim, të quajtura “play in games” ndaj Los Angeles Lakers dhe Memphis Grizzlies basketbollistët e Golden State mbetën përfundimisht edhe jashtë zonës play off, ndërsa këtë radhë falë formës së shkëlqyer të organizatorit të skuadrës ekipi i drejtuar nga trajneri Steve Kerr duket vërtet i pandalshëm.

Vlen te theksohet fakti se disfatën e vetme brenda kohës së rregullt Warriors e pësuan ditën e hënë me Charlotte-n, brenda në Karolinën e Veriut, ku Hornets ia dolën mbanë për të fituar në fund 106-102, sidoqoftë humbja në Spectrum Center përfaqëson njëkohësisht edhe disfatën e vetme në dhjetë takimet e fundit për franchise-n kalifornian, që është mposhtur gjithashtu edhe brenda në San Francisco nga ekipi i Memphis Grizzlies, që përmbysi disavantazhin e plot 19 pikëve, për të triumfuar 104-101 pas kohës shtesë. Stephen Curry ka rigjetur formën e tij më të mirë dhe për hir të së vërtetës 33-vjeçari nga Akroni po shkëlqen, duke udhëhequr njëkohësisht edhe statistikat si pikë-shënuesi më i mirë i sezonit, me mesataren 29,5 pikë për ndeshje, duke kaluar tashmë edhe ish-shokun e tij të ekipit Kevin Durant.

Paraqitja më e mirë për të natyrisht mbetet ajo e datës 9 nëntor, ndaj Atlanta Hawks në shtëpi, në Chase Center ku Steph Curry e mbylli mbrëmjen me 50 pikë, 7 topa të rikuperuar e 10 asist në vetëm 35’ lojë, gjithsesi edhe në ndeshjen e fundit performanca e tij ishte e një niveli vërtet shumë të lartë. Kurioz është fakti që Steph Curry erdhi në jetë po në të njëjtin spital të Akron-it ku lindi më herët me tre vjet diferencë në kohë edhe vetë Mbreti James, prandaj kuptohet qartë edhe përse sa herë kthehet në Ohio organizatori i Warriors mundohet t’i kënaqë të pranishmit me pjesë të veçanta nga repertori i tij tepër i pasur. Këtë radhë në Rocket Mortgage FieldHouse të Cleveland-it përpara 19.432 spektatorëve Steph Curry bëri një ndër ndeshjet e tij më të mira të sezonit, duke ndihmuar Warriors për të përmbysur diferencën e 13 pikëve, që kishte ekipi i Golden State në fundin e periodës së tretë.

Miqtë hynë në 12’ e fundit me disavantazhin 81-68, megjithatë në fraksionin përmbyllës të lojës ekipi i drejtuar nga trajneri Steve Kerr përforcoi ndjeshëm mbrojtjen, për t’i shtrënguar Cavs në thjeshtë 8 pikë gjithsej. Sikur të mos mjaftonte kjo vendasit pësuan plot 36 pikë në periodën e fundit, duke humbur gjithë takimin me rezultatin 104-89. Mbi të gjitha 20 nga 36 pikët e Warriors në 12’ e fundit i realizoi pikërisht numri 30 dhe në këtë mënyrë Stephen Curry që luajti i dëmtuar me probleme në ije e mbylli mbrëmjen me plot 40 pikë të shënuara në 35’ 22” që qëndroi në parket, ndërsa te Cavaliers spikati 21-vjeçari Darius Garland, që e përfundoi takimin në kuotën e 25 pikëve.

Pas shtatë fitoreve rresht Los Angeles Clippers regjistruan humbjen e dytë në tre sfidat e fundit dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Tyronn Lue vuajti sërish mungesat e shumta dhe tepër të rëndësishme, teksa franchise kalifornian u mposht në Tennessee në FedExForum përpara 13.419 spektatorëve me rezultatin 120-108 nga Memphis Grizzlies. Ndonëse me shumë mungesa skuadra e Philadelphia 76ers ia doli mbanë për të thyer brenda në Colorado ekipin e Denver Nuggets me rezultatin 103-89. Kështu në Ball Arena të Denverit përpara 14.547 të pranishmëve vlejti vërtet pak paraqitja shumë e mirë e kapitenit të vendasve, 26-vjecarit nga Serbia Nikola Jokic, që e përfundoi takimin me 30 pikë, 10 rebound e 7 asist dhe pas pesë fitoreve radhazi Nuggets pësuan në këtë mënyrë disfatën e dytë rresht.

Ndërkohë në krahun tjetër Phila i dha fund pesë humbjeve radhazi dhe me këtë sukses franchise nga Pennsylvania u ngjit në vendin e dytë në Divizionin e Atlantikut me 9 fitore e 7 humbje. Fitoren e katërt rresht regjistroi gjithashtu edhe ekipi i Miami Heat, që në Florida në FTX Arena përpara 19.600 spektatorëve mposhti me shifrat 112-97 ekipin e Washington Wizards, për të marrë kështu kryesimin në Konferencën e Lindjes me 11 fitore e 5 humbje, ndeshje ku shkëlqeu 32-vjecari teksan Jimmy Butler që kontribuoi me 32 pikë në diçka më tepër se 34’ lojë.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency