Connect with us

Hi, what are you looking for?

Basketboll

NBA/ Ditëlindje perfekte për Curry, Philadepphia 76ers nuk ka ndërmend të ndalet

Steph Curry festoi në mënyrën më të mirë të mundshme ditën e 33 vjetorit të tij, duke udhëhequr skuadrën e Golden State-t në një fitore të madhe ndaj Utah Jazz. Franchise nga Salt Lake City përfaqëson ekipin më të mirë, deri në këtë pikë të edicionit të 75 në NBA, përsa i përket sezonit të rregullt, megjithatë ylli nga Ohio ishte thjesht i pandalshëm në fushën e lojës, duke realizuar madje edhe 6 nga 9 tentativat e tij, për të shënuar nga jashtë harkut.

Jazz zbritën në Qytetin e San Francisco-s me plot 9 fitore më shumë në Konferencën e Perëndimit, sidoqoftë 33-vjeçari nga Akroni i mori për dore Warriors dhe e ndihmoi skuadrën kaliforniane për të regjistruar fitoren e parë ndaj Utah, pas plot 5 humbjeve radhazi. Vetëm 49 ditë më parë ekipi nga Salt Lake City i shkatërroi me 19 pikë diferencë, duke e shtrënguar Steph Curry-n në vetëm 24 pikë gjithsej, ndërsa këtë herë kapiteni ktheu në rrugë të mbarë ekipin e tij, pas plot katër humbjeve rresht, duke kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme me 32 pikë, 5 topa të rikuperuar dhe 9 asiste, në diçka më pak se 36’ që qëndroi në parket.

Ekipi i Utah humbi vetëm 1 nga 21 ndeshjet e zhvilluara në një periudhë kohe prej diçka më pak se 6 javësh, por që nga disfata e pësuar më datën 20 shkurt në Kaliforni me Los Angeles Clippers kjo ecuri e shkëlqyer mori fund dhe Jazz zbritën në Chase Center me plot 4 humbje në 8 takimet e fundit. Ndeshja pati vetëm një barazim 2-2, në start, ndërsa avantazhin e parë dhe të vetëm miqtë e regjistruan në shifrat 11-9. Vendasit shkuan në interval me rezultatin 67-54, sidoqoftë edhe në vazhdim skuadra e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Steve Kerr ruajti po të njëjtin ritëm dhe administroi në mënyrë të shkëlqyer epërsinë e krijuar. Përfundimisht Warriors fituan gjithë takimin me shifrat 131-119, duke u ngjitur në pozicionin e nëntë në Perëndim, me bilancin pozitiv prej 20 fitoresh e 19 humbjesh.

Andrew Wiggins shënoi 28 pikë të tjera për Golden State-n, ndërsa në krahun tjetër Rudy Gobert e mbylli mbrëmjen me 24 pikë, po aq sa edhe Donovan Mitchell, ndërkohë Mike Conley dhe Jordan Clarkson realizuan respektivisht nga 23 dhe 21 pikë secili. Pavarësisht kësaj disfate ekipi i Utah vazhdon të ketë bilancin më të mirë të të 30 skuadrave në “regular season” dhe Jazz kryesojnë në Perëndim me 28 fitore e 10 humbje. Në krahun tjetër të Shteteve të Bashkuara në Lindje vazhdojnë të udhëheqin basketbollistët e Philadelphia 76ers dhe skuadra e drejtuar nga veterani Doc Rivers nuk ka ndër mend ta lëshojë kreun, pavarësisht dëmtimit shumë të rëndë në gju të sulmuesit nga Kameruni Joel Embiid.

Franchise nga Pennsylvania ia doli mbanë për të mundur 134-99 në shtëpi ekipin e San Antonio Spurs, duke regjistruar njëkohësisht edhe fitoren më të thellë në gjithë historinë e përballjeve ndërmjet tyre në NBA. Suksesi i pestë rresht për Phila-n në harkun e vetëm 12 ditëve dhe fitorja e katërt radhazi në sfidat ndërmjet këtyre dy skuadrave. Duke lënë mënjanë disavantazhin 5-2 në start, në Wells Fargo Center përpara 3.071 spektatorëve vendasit dominuan gjithë pjesën e mbetur të takimit dhe diferenca e pikëve mori përmasa të tjera. Këtë herë më të mirët për 76ers ishin Tobias Harris dhe Seth Curry, respektivisht me nga 23 e 21 pikë secili.

Philadelphia kryeson në Lindje me 27 fitore e 12 humbje, pra thjesht një fitore më shumë se ekipi i Brooklyn Nets. Po në këtë konferencë nënkampionët në fuqi mposhtën ekipin e Orlando Magic jashtë fushe, për të regjistruar fitoren e 10 në 11 takimet e fundit. Në Amway Center përpara 3.264 spektatorëve ekipi i Miami Heat përmbysi disavantazhin e 6 pikëve pikërisht në periodën e fundit, për të mposhtur në derbin e Floridas skuadrën e Orlandos me rezultatin e ngushtë 102-97, në një ndeshje ku shkëlqeu për Heat Jimmy Butler me 29 pikë, 9 asist e 7 rebound. Për Magic kjo ishte humbja e 8 radhazi, ndërsa në krahun tjetër falë këtij suksesi ekipi i drejtuar nga trajneri Erik Spoelstra u ngjit në vendin e katërt në Konferencën e Lindjes dhe konsolidoi pozitat në krye të Divizionit të Juglindjes me 21 fitore e 18 humbje.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...