NBA/ Nuk u kualifikua në Play Off, Los Angeles Lakers shkarkon trajnerin kampion

Los Angeles Lakers ka vendosur të shkarkojë trajnerin Frank Vogel, teksa shkak është bërë fakti që skuadra kaliforniane nuk ia doli të kualifikohet në fazën Play Off të NBA.
Skuadra e drejtuar nga Vogel ia doli të fitojë 33 ndeshje sezonale, por humbi 49 dhe e mbylli në vendin e 11 në Konferencën e Perëndimit, duke mos marrë pjesë në Play Off-in për titullin kampion.
Ndeshja e fundit e Vogel në stolin e Lakers ishte pikërisht ajo ndaj Denver Nuggets, të cilën e fitoi me shifrat 146-141 pas kohës shtesë, teksa më pas drejtuesit e klubit kalifornian njoftuan vendimin e shkarkimit.
“Është një vendim jashtëzakonisht i vështirë për t’u marrë, por i domosdoshëm në pikën që kemi arritur. Kam respekt të madh për Frank, pasi është trajner i madh dhe njeri i mirë. Do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për punën që bëri, duke na udhëhequr drejt titullit kampion në sezonin 2019-2020”, u shpreh menaxheri i përgjithshëm i Lakers, Rob Pelinka.
Frank Vogel mori drejtimin e Los Angeles Lakers në maj të 2019-ës dhe që në sezonin e parë arriti rezultate të jashtëzakonshme, duke mbyllur sezonin me 52 fitore dhe 19 humbje në Konferencën e Perëndimit dhe më pas duke u dhënë kalifornianëve trofeun, pas suksesit ndaj Miami Heat në finale.
