Basketboll

NBA, për Warriors s’mjaftojnë 39 pikët e Durant, bien Cavs dhe Celtics

Houston Rockets rikthehet te fitorja 105 – 82 ndaj Dallas Mavericks pas disfatës që pësoi me Toronto Raptors. Në mungesë të James Harden, që vuan nga një probleme fizik në gju, skenën e rrëmbeu Eric Gordon, që ishte më i miri mbi parket me 26 pikë, ndërsa Chris Paul shënoi 24 pikë të tjera dhe dha 12 asiste për Rockets. Për Mavericks u mundua të bënte diçka Dwight Powell, që e mbylli takimin me 20 pikë. Deri në fund të pjesës së parë gjithçka ishte në ekulibër të plotë, me tabelën eketronike që shënonte 47-48, por pas këtij momenti vendasit imponuan ritmin e tyre duke fituar me 23 pikë diferencë. Houstoni është skuadra e parë që e ka siguruar kualifkimin në Play off në Konferencën e Perëndimit.

DeMar DeRozan mbeti disi në hije në përballjen mes Toronto Raptors dhe New York Nicks, megjithatë fitorja e kanadezëve nuk u vu në asnjë moment në diskutim. 106-132 u mbyll kjo përballje në “Madison Square Garden”, ku spikatën lojtarët e stolit të Raptors: Miles, Poeltl, VanVleet e Wright, që realizuan shifra të dyfishta. Hardaway s’mund të bënte më shumë për Nicks, edhe pse rezultoi shënuesi më i mirë me 25 pikë.

Në mungesë të Stephen Curry-t, për Golden State Warriors nuk mjaftoi mbrëmja magjike e Kevin Durant, që shënoi plot 39 pikë dhe kontrolloi 12 topa poshtë koshit në parketin e Minnesota Timberwolves. Vendasit fituan 109 – 103, duke prishur serinë e humbjeve radhazi. Për Minnestotan spikati Towns me 31 pikë dhe plot 16 rikuperime.

Përballje plot rivalitet mes Boston Celtic dhe Indiana Pacers në “TD Garden”, ku miqtë arritën të fitonin me vetëm 2 pikë diferencë, 97 – 99, duke i rrëmbyer vendin e tretë Cleveland Cavaliers në Lindje. Oladipo me 27 pikë, 4 asiste dhe 3 rikuperime ishte inspiruesi i Pacres në këtë sukses të rëndësishëm.

Vjen humbja e dytë radhazi për Cleveland Cavaliers, që u dorëzua 127 – 113 përballë Los Angeles Lakers në “Staples Center”. LeBron James shënoi 24 pikë, dha 7 asiste dhe kontrolloi 10 topa, por paraqitja e tij nuk mjaftoi përballë Julius Randle të kalifornianëve, që kishte statistikat më të mira: 36 pikë, 7 asiste dhe plot 14 rikuperime.

Në takimet e tjera Denver Nuggets shpërtheu 130 – 104 ndaj Sacramento Kings, New Orleans Pelicans dështoi 99 116 përballë Utaj Jazz, Atlanta Hawks u mposht 122 – 129 nga Chicago Bulls dhe Philadelphia 76rs, iu imponua 120 – 97 Brooklyn Nets.

 

 

To Top