Arbër Basha nuk është më futbollist i Kastriotit. Pas tre sezonesh me fanellën e krutanëve, mesfushori ka vendosur të ndërrojë ambient dhe është ndarë me marrëveshje me Kastriotin, falë edhe një pakti “xhentëllmenësh” që kishte me drejtuesit.
Futbollisti 24-vjeçar momentalisht është me pushime dhe në pritje për të mësuar të ardhmen e tij, teksa ofertat nuk kanë munguar, por vetë Basha do të preferonte një provonte një tjetër eksperiencë jashtë vendit, pas asaj te Trans Narva në Estoni, në sezonin 2018-2019.
SuperSport mëson se për Bashën kanë shfaqur interes dy klube që militojnë në ligën e parë turke, aty ku luajnë edhe shumë futbollistë të tjerë shqiptarë, të cilët kanë bërë një reklamim mjaft të mirë të futbollit tonë.
Arbër Basha ishte një nga titullarët e sezonit të fundit te Kastrioti, pasi luajti në total 24 ndeshje, ose rreth 2000 minuta, duke shënuar dy gola dhe dhënë një kontribut të madh në sigurimin e mbijetesës së krutanëve në elitën e futbollit shqiptar.