Ka zgjatur vetëm 5 sekonda ndeshja e vlefshme për javën e 22-të të Serisë B italiane, mes Lecces dhe Ascolit dhe më pas është ndërprerë për t’u luajtur në një tjetër moment.
Shkak është bërë një përplasje në dukje normale mes dy futbollistëve, por që për pak nuk u shndërruar në një tragjedi për futbollin, pasi la pasojë të rënda te mesfushori i Lecces, Manuel Scavone.
Ky i fundit, në duelin e parë ajror me futbollistin e kundërshtarëve Beretta, ra në tokë pa ndjenja dhe u desh një ndërhyrje e menjëhershme e stafeve mjekësore të të dy skuadrave, për ta mbajtur në jetë.
Më pas mesfushori u dërgua me urgjencë në spitalin e qytetit të Lecces dhe sipas mjekëve, do të mbahet nën monitorim për të paktën 24 orë dhe vetëm më pas do të mund të thuhet se është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, me kërkesë të të dy skuadrave, arbitri i takimit vendosi që sfida të mos rifillonte më dhe tashmë mbetet të negociohet se kur do të mund të riluhet ky takim.
