Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Ndeshjet në dy ditë dhe njëra me drita, caktohen datat dhe oraret për javën e 32-të

Java e 32-të e Kategorisë Superiore do të zhvillohet në dy ditë të ndryshme, konkretisht pasditen e të dielës dhe të hënën në dy fasha orare të ndryshme, ndërsa vlen të theksohet se vetëm një nga 5 takimet, do të luhet nën dritën e projektorëve.

Kështu gjithçka do të startojë të dielën në orën 17:45, kur Laçi do të presë Flamurtarin e rënë tashmë në Kategorinë e Parë, në një ndeshje ku 3-pikëshi është detyrim për të konsoliduar pozitat në zonën europiane të renditjes, që është edhe objektivi i kurbinasve për këtë sezon.

Po në të njëjtën orë, një tjetër skuadër që ka siguruar rënien në Kategorinë e Parë, Luftëtari do të presë në Gjirokastër Vllazninë e Hysen Dedjas. Bluzinjtë kanë pësuar shumë gola në javët e fundit dhe objektivi i vetëm është që të luajnë sa më mirë dhe të fitojnë eksperiencë.

Nga ana tjetër shkodranët vijojnë të besojnë te sigurimi direkt i mbijetesës, ndaj dol të provojnë të marrin maksimumin në stadiumin “Luftëtari” për të shpresuar që deri në fund to të arrijnë t’i largohen vendit të tetë në renditje.

Të dielën pasdite vëmendja maksimale do të jetë te sfida Tirana-Kukësi, e cila do të startojë gjithashtu në orën 17:45. Bardheblutë vijnë pas një jave plot polemika, që nisën me fitoren në Korçë dhe u theksuan më shumë me shfaqjen e shëmtuar në Ballsh, por në përballjen e të hënës ndaj Kukësit, kanë mundësi të vënë të dy duart te titulli kampion, apo edhe ta fitojnë zyrtarisht atë.

Në rast të një fitoreje ndaj verilindorëve, bardheblutë do të çonin në 12 pikë diferencën me Kukësin dhe do të kenë nevojë për vetëm një pikë në 4 ndeshjet e mbetura, që të fitojnë matematikisht titullin. Por për të nisur festën që të hënën, do të duhet një fitore me rezultat më të thellë se 3-0, për t’u shpallur zyrtarisht kampionë.

Nga ana tjetër Kukësi do të vijë në këtë përballje me mungesa të shumta në repartin e avancuar, por siç e theksoi edhe trajneri Shehi, me detyrimin për të provuar deri në fund të mbajë të hapur garën për titullin kampion.

Po të hënën në orën 17:45, në “Adush Muça” të Ballshit do të zhvillohet sfida mes Bylisit vendas dhe Partizanit. Takimi ka një rëndësi shumë të madhe për kryeqytetasit, të cilët me tre fitore radhazi në kampionat, janë rikthyer tërësisht në garë për një vend në Europa League.

Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në “Niko Dovana” të Durrësit, ku Teuta do të presë Skënderbeun. Te dy skuadrat patën si objektiv zonën europiane të renditjes, por tani vetëm durrsakët mund ta synojnë këtë arritje, pasi korçarët nuk janë licencuar për të luajtur në Europë, edhe nëse u hiqet pezullimi nga Gjykata Federale e Zvicrës.

Nga ana tjetër Teuta ka dy rrugë për të siguruar një vend në Europa League, njëra nëpërmjet kampionatit, ku mund të konsolidojë pozitat nëse fiton ndaj korçarëve, dhe tjetra nëpërmjet Kupës së Shqipërisë, ku po luan në fazën gjysmëfinale.

Të gjithë takimet e javës së 32-të, ashtu si edhe i tërë kampionati, do të transmetohen në ekranin e Supersport, bashkë me emisionin “Gol pas Goli” që do të përcjellë te ju të rejat më të fundit, analiza, komente dhe prononcime të protagonistëve të sfidave.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...