Formula 1

Ndryshime në Formula 1, gjendet gjuha e përbashkët për garat Sprint

Drejtuesit e Formulës 1 vendosin për të dyfishuar numrin e garave të sprintit, për sezonin e ardhshëm të kampionatit më të shpejtë në botën e automobilizmit. Krerët e botërorit të këtij sporti ranë dakord për ta çuar në gjashtë numrin e garave të sprintit për edicionin e 74 të kampionatit të Formulës 1.

Organizatorët e botërorit bashkë me drejtuesit e ekipeve, kishin gjetur gjuhën e përbashkët për një ndryshim të tillë që në muajin prill, megjithatë gjithçka u shty për më vonë, për të marrë gjithashtu edhe miratimin e Presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit Mohammed bin Sulayem.

Presidenti I FIA-s kërkoi më tepër kohë për të vlerësuar punën e personelit të stafit të posaçëm, që u shtua enkas për mbarëvajtjen e garave të programuara në kalendarin e kampionatit të vitit 2022. Në këtë mënyrë numri i garave të sprintit në Formula 1 do të rritet në gjashtë për vitin tjetër, nga thjesht tre që ishte përcaktuar, në kalendarin e botërorit të sivjetshëm.

Piloti që kryeson aktualisht botërorin e njëherësh edhe kampioni në fuqi, Max Verstappen fitoi garën e sprintit më 10 korrik, në Red Bull Ring, në pistën e Spielberg-ut, e vlefshme për Çmimin e Madh të Austrisë. Piloti holandez që do të festojë 25-vjetorin pikërisht ditën e premte mundi në “sprint race” rivalin e tij Charles Leclerc për 1,6”, duke përfituar 8 pikë shumë të rëndësishme në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa i treti u pozicionua piloti tjetër i Skuderisë Ferrari Carlos Sainz Jr, me 5,6” diferencë nga vendi i parë.

Sidoqoftë piloti nga Montecarlo ia doli mbanë që të fitojë në fund garën, ndonëse ishte Verstappen që u nis nga pole position. Ndërkohë në garën e parë sezonale të sprintit të vitit 2022 në Imola kampioni në fuqi ia doli mbanë që të fitojë i shkëputur kundrejt ndjekësit të tij më të afërt në renditjen e përgjithshme të klasifikimit të pilotëve, pra 24-vjecarit Charles Leclerc, ndaj të cilit holandezi ka një epërsi të madhe prej plot 116 pikësh.

Kështu në garën e Çmimit të Madh të Emilia Romanjës, që u zhvillua më 24 prill, Max Verstappen e përfundoi aventurën e tij me maksimumin e pikëve 34, sepse përveç se në “sprint race” piloti holandez siguroi edhe fitoren e garës përmbyllëse, duke regjistruar gjithashtu edhe xhiron më të shpejtë të garës.

Max Verstappen është duke dominuar këtë sezon, pasi piloti holandez ka triumfuar në pesë garat e fundit radhazi dhe ka fituar gjithashtu 11 nga 16 garat e këtij edicioni të Formulës 1. Palët ranë dakord përfundimisht ditën e martë dhe Këshilli Drejtues i FIA-s miratoi propozimin për ta çuar në gjashtë numrin e garave të sprintit për sezonin e ardhshëm.

Siç dihet vijat e nisjes dhe rreshtimi i pilotëve në garën e sprintit përcaktohen pikërisht nga provat, që në rastet kur në kalendar është programuar gjithashtu edhe garimi në “sprint race” zhvendosen nga e shtuna e zakonshme në një ditë më herët, pra të premten pasdite.

Garat e sprintit përgjithësisht kanë një itinerar të shkurtuar, afërsisht sa 1/3 e xhirove, krahasuar me numrin në total të rrotullimeve, që është përcaktuar që më herët nga organizatorët, për garën koresponduese të ditës së diel të atij Çmimi të Madh.

Gara e “sprint race” mbahet ditën e shtunë dhe sistemi i pikëzimit është i qartë. Në fund vlerësohen vetëm tetë pilotët e parë, që përfitojnë nga 1 deri në 8 pikë, duke u bazuar pra pikërisht në renditjen përfundimtare të garës së sprintit.

Krerët e Formulës 1 vendosën që të presin fillimisht, për të parë impaktin e garave të sprintit përgjatë sezoneve 2021 e 2022 për të marrë një vendim përfundimtar, sidoqoftë një formulë e tillë u pëlqye pothuajse nga të gjithë dhe pati një ndikim të menjëhershëm edhe në shikueshmërinë televizive.

Sipas BBC Sport drejtuesit e skuadrave patën kërkuar shpërblime shtesë për garat e sprintit, por krerët e organizmit më të lartë të automobilizmit e përgënjeshtruan diçka të tillë. Një format I tillë me “sprint race” është pëlqyer së tepërmi dhe e shtrin shikueshmërinë në harkun e tre ditëve, për më tepër një ndryshim i tillë ka rritur ndjeshëm edhe popullaritetin e këtij sporti anembanë globit.

Vetë presidenti I Formulës 1, 57-vjecari italian Stefano Domenicali u shfaq tepër i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke u mbështetur natyrisht te suksesi i menjëhershëm që siguroi një ndryshim i tillë.

Siç dihet numri i përgjithshëm i garave për sezonin e ardhshëm është rritur me dy, kështu që nga 22 numri i Çmimeve të Mëdha ka shkuar në 24, gjithsesi nuk është përcaktuar ende në mënyrë specifike se cilat janë gjashtë pistat e përzgjedhura për garat e sprintit, që do të mbahen përgjatë vitit 2023.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency