Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kombëtare

Ndryshime në stafin e Kombëtares, zbulohet “urdhri” i Sylvinhos

Sylvio Mendes Campos Junior do të prezantohet të hënën si trajneri i ri i Shqipërisë. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi në ditët e para të janarit se është arritur marrëveshja me brazilianin, i cili pason Edoardo Rejan në pankinën e kuqezinjve. 48-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë 18 mujore. Objektivi i tij i vetëm është që të arrijë kualifikimin në fazën finale të Europianit Gjermani 2024.

Supersport mëson se Sylvinho ka vendosur që të qëndrojë në Tiranë për sa kohë të jetë trajner i Kombëtares, për të qenë sa më pranë futbollit shqiptar e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai do të jetë i angazhuar maksimalisht gjatë gjithë kohës, e thënë ndryshe në një punë “full time”.

Ish-mbrojtësi i majtë ka kërkuar që krahas tij edhe pjesa tjetër e stafit të qëndrojnë gjithashtu në Tiranë, për të patur një bashkëpunim të vazhdueshëm. Në të tilla rrethana, Hamdi Salihi, i cili ka qenë pjesë e stafit të Kombëtares në rolin e një prej zëvendëstrajnerëve, nuk do të jetë më pjesë e ekipit kuqezi, kjo për faktin se ish-sulmuesi shkodran jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe e ka të pamundur që të zhvendoset në kryeqytet.

Ish-mbrojtësi argjentinas Pablo Javier Zabaleta dhe ish-mesfushori brazilian Dorival Guidoni Junior, i njohur si Doriva, janë konfirmuar si ndihmëstrajnerët e Sylvinhos, por Supersport mëson se në stafin e brazilianit do të shtohet dhe një përgatitës atletik, i kërkuar nga ana e tij. Ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë në kualifikueset e kampionatit europian do të jetë në muajin mars në Varshavë ndaj Polonisë, por 48-vjeçari do të ketë dhe një ndeshje miqësore para këtij takimi.

Sylvinho është një emër i njohur në futbollin botëror, teksa si lojtar ka qenë pjesë e Barcelonës, Manchester City e Arsenal. Si trajner, në 2011 ai mori pozicionin e zëvendësit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthians, dhe tek Interi së bashku me Roberto Mancinin. Ai ka qenë dhe zëvendëstrajner i Brazilit për tri vite, duke mbajtur postin e asistentit të Tite përpara se të merrte drejtimin e Lyon në Francë dhe më pas Corinthiansit në kampionatin brazilian.

Tani, ish-anësori kërkon të bëjë hapin e madh si trajner i Shqipërisë, teksa arritja e objektivit do të përcaktojë dhe shifrat financiare që do të përfitojë braziliani dhe ndihmësit e tij për aventurën 18 mujore. Prezantimi i Sylvinhos dhe pjesës tjetër të stafit, do të bëhet nga presidenti Armand Duka, të hënën në orën 11:00 në ambientet e stadiumit “Air Albania”.

Lajme të tjera

Bundesliga

Union Berlin vijon të jetë në kërkim të një trajneri, për t’iu besuar pankinën pas shkarkimit të zviceranit Urs Fischer, teksa së fundi ka...

Featured

Jasir Asani shkëlqeu në plot kuptimin e fjalës me Kombëtaren e Shqipërisë, në kualifikueset drejt kampionatit europian, duke shënuar 3 gola e duke dhënë...

Itali

Pasi përfundoi aventurën me Tottenham sezonin e shkuar, Antonio Conte vijon të shijojë pushimet dhe kohën me familjen. Megjithatë, ashtu siç e ka theksuar...

Serie A

Interi harron Frattesin. Zikaltrit publikuan protokollin e ndeshjes ndaj Juventusit, teksa mesfushori italian nuk figuronte as mes futbollistëve të formacionit dhe as mes atyre...