Kevin Durant ka vendosur të largohet nga Golden State Warriors, pas një qëndrimi prej 3 vitesh në Oakland, ku arriti të fitojë dy “Unaza të Arta” me këtë skuadër, konkretisht në sezonin 2016-2017 dhe 2017-2018.
Ylli 30-vjeçar do të shfrytëzojë moratoriumin e transferimeve të lira, që nisi pikërisht sot dhe do të përfundojë më datën 7 korrik, për t’u transferuar në New York, te skuadra e Brooklyn Nets.
Durant ka arritur marrëveshjen me Nets, për të nënshkruar një kontratë 4-vjeçare, nga e cila pritet të përfitojë rreth 164 milionë dollarë, ndërsa rikthimi i tij në fushë pritet të ndodhë vetëm gjatë vitit 2020, pasi vuan një dëmtim në thembër, që e pësoi në finalet e këtij sezoni ndaj Toronto Raptors.
Bashkë me Durant, te Brooklyn Nets do të transferohet edhe veterani DeAndre Jordan, një mik i vjetër e 30-vjeçarit, si dhe Kyrie Irving, i cili ka nënshkruar gjithashtu një kontratë 4-vjeçare, me një pagë prej 141 milionë dollarësh.
Këto lëvizje ndryshojnë balancat në NBA, duke renditur mes pretendentëve të Konferencës së Lindjes, skuadrën e Brooklyn Nets, që ka investuar fuqishëm për të sjellë në ekip disa nga emrat më të spikatur të basketbollit në SHBA dhe në botë.
