Connect with us

Hi, what are you looking for?

Sport

Ndryshon renditja botërore, disfata e Alcaraz i shërben Djokovic

Novak Djokovic rikthehet në fron dhe këtë herë tenisti i famshëm nga Serbia e siguroi diçka të tillë pa qenë fare nevoja për të zbritur në fushën e lojës. Gjithçka u mundësua pas disfatës që pësoi në takimin gjysmëfinal të Mastersit të Miami-t tenisti i talentuar spanjoll Carlos Alcaraz, i cili u mund në tre sete nga italiani Jannik Sinner, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga mbrojtja e titullit të vitit të kaluar. Në Florida 19-vjeçarit nga Murcia i duhej patjetër fitimi i trofeut për të ruajtur pozicionin në krye të klasifikimit të përgjithshëm të këtij sporti, një mision tepër i vështirë duke pasur parasysh edhe fazën e ngjeshur të kësaj periudhe të veçantë të kalendarit vjetor, që i impenjon tenistët radhazi në dy turnetë e pagëzuar “Sunshine Masters”, përtej Atlantikut.

Kështu kjo bëhet hera e tretë gjatë këtij sezoni që numri 1 I botës ndërron padron. Fillimisht më datën 30 janar pra vetëm një ditë pas suksesit të tij të dhjetë në Australian Open Novak Djokovic ia doli mbanë për t’i rrëmbyer pozicionin më të lakmuar në renditjen botërore Alcaraz-it, që këtë radhë mungoi në Melbourne Park për arsye dëmtimi. Me t’u rikthyer në aktivitet adoleshenti spanjoll filloi të gjente pak e nga pak formën e tij më të mirë, për të kulmuar më datën 20 mars me ringjitjen në çatinë e botës, pra prakitkisht vetëm një ditë pas triumfit për herë të parë në karrierë në Mastersin e Indian Wells-it. Në Kaliforni, në Coachella Valley Alcaraz i dha fund ecurisë fantastike të Medvedevit prej 19 fitoresh rresht, e ndërtuar pas sukseseve radhazi në Rotterdam, Doha dhe Dubai pas triumfit me dominim 6-3, 6-2 pikërisht në finalen e Indian Wells-it. Sikur të mos mjaftonte mungesa në Kaliforni Nole mungoi gjithashtu edhe në Bregun Lindor, kështu që çështja e numrit 1 të botës i mbeti në dorë pikërisht sportistit të ri spanjoll.

Lexo edhe:

Në Miami Gardens Alcaraz u paraqit plot besim, pasi triumfoi pra në Indian Wells pa humbur qoftë edhe një set të vetëm. Kjo ecuri e shkëlqyer vijoi gjithashtu edhe në Hard Rock Stadium, ku Alcarazi mori përpara me radhë pa humbur asnjë set edhe emra të tillë si Facundo Bagnis, Dusan Lajovic apo dhe amerikanët Tommy Paul e Taylor Fritz. Pra plot 18 fitore në 19 sfidat e fundit, me 10 ndeshjet e fundit të mbyllura pa humbur asnjë set. Pavarësisht rivalitetit tepër të ashpër me numrin 11 në planet Jannik Sinner Alcaraz e nisi duelin me tenistin italian duke rikuperuar disavantazhin e një game me break.

Ndonëse në shifrat 4-2 për 21-vjecarin nga Tiroli i Jugut sportisti spanjoll humbi një pikë, që me shumë gjasa do të hyjë në histori jo vetëm si pika e këtij edicioni të 38 në Miami Open por gjithashtu edhe si pika më e bukur e gjithë vitit 2023, përsëri Alcarazi ia doli mbanë për të fituar tie break-un e setit hapës me shifrat 7-4 në 77’. Para se të përballeshin në turin gjysmëfinal në Florida tenisti i ri iberik kryesonte 3-2 në sfidat në turnetë ATP, falë dy sukseseve të fundit në US Open dhe Indian Wells si dhe triumfit në Mastersin e Parisit në vitin 2021, ndërsa Sinner krenohej me fitoret e sezonit të kaluar në Umag të Kroacisë dhe Wimbledon.

Pra 13 ditë para sfidës në Miami Gardens Sinner ishte mposhtur pikërisht në raundin gjysmëfinal në Indian Wells 7-6, 6-3 në afërsisht dy orë, sidoqoftë këtë herë pavarësisht se humbi setin hapës pas shumë gabimeve në pikët përcaktuese Jannik Sinner nuk u dorëzua dhe shtrëngoi dhëmbët, për t’u mbrojtur shkëlqyeshëm. Edhe pasi shpërdoroi epërsinë 2-0 në startin e setit të dytë Sinner vazhdoi të besojë dhe momenti kyç i takimit ishte padyshim game i tetë, kur Sinner i anuloi dy mundësi për break adoleshentit nga Murcia. Në përfundim tenisti i talentuar italian i anuloi plot gjashtë mundësi të tilla Alcaraz-it dhe për rrjedhojë Sinner përfitoi për të mbyllur takimin 6-7, 6-4, 6-2 në plot tre orë lojë. Në këtë mënyrë Alcarazi humbi plot 640 pikë nga ky eliminim në fazën gjysmëfinale, kështu që ditën e hënë në mesditë sportisti i mirënjohur ballkanas Novak Djokovic do të marë sërish kreun në klasifikimin e përgjithshëm ATP.

Lexo edhe:

Është e qartë pra që ditën e hënë Nole do të fillojë mbretërimin e tij në këtë sport për të 381 javë, ndërkohë Sinner pas fitores së tretë në karrierë ndaj Alcaraz-it u përmirësua me dy pozicione, për të prekur vendin e nëntë në rruzull. Kështu mbretërimi i Alcaraz-it në fronin e këtij sporti shkon tani në 21 javë në total, arritje që e rendit atë në vendin e 16 në klasifikimin e përgjithshëm të 28 tenistëve që ia kanë dalë mbanë për të prekur sadopak numrin 1 të botës.

Vetëm pak kohë më parë Nole theu rekordin, teksa kaloi gjithashtu edhe tenisten legjendare gjermane Steffi Graff, që kishte regjistruar 377 javë si vendi i parë në planet në tenisin e femrave. Në listën e të gjitha kohërave te meshkujt spikat Roger Federer, që pozicionohet i dyti me 310 javë kryesim, ndërsa i treti klasifikohet amerikani Pete Sampras me 286 javë në krye të renditjes. Ivan Lendl dhe Jimmy Connors vijojnë përkatësisht me nga 270 dhe 268 javë qëndrim në fronin e tenisit të meshkujve, ndërkaq veterani spanjoll Rafael Nadal në këtë klasifikim mban vetëm vendin e gjashtë me 209 javë gjithsej ndërsa i shtati i distancuar renditet ish-tenisti tjetër nga Shtetet e Bashkuara John McEnroe.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...