Antonio Conte po përgatit rikthimin në Itali. Mediat angleze tashmë e japin si të sigurt lajmin se tekniku i Chelsea-t në fund të sezonit do të largohet nga drejtimi i “Bluve të Londrës”. Pakënaqësia me merkaton dhe dëshira për t’u rikthyer pranë familjes, janë këto arsyet përse italiani po planifikon t’i rikthehet aventurës në Seria A. Në ndjekje të tij është Milani, që prej kohësh po mundohet ta bindë 47-vjecarin që të bëhet pjesë e projektit kuqezi.
Kontrata aktuale e Conte-s skadon më 2019 dhe vetë trajneri ka vendosur që kjo marrëveshje të mos rinovohet, duke i dhënë një mesazh të qartë drejtuesve të klubit se bashkëpunimit mes palëve po i vjen fundi. Italiani kurrë nuk e ka fshehur pakënaqësinë e tij në lidhje me merkaton e zhvilluar dhe jo në pak raste është shfaqur nostalgjik për kohën kur ai ishte pjesë e kampionatit italian. “Italia është atdheu im, do të kthehem. Nuk e di se kur, por ky është objektivi im.” Kështu shprehej në një intervistë të fundit Conte.
Këtë deklaratë mediat angleze e kanë cilësuar si një mesazh të qartë për një divorc të parakohshëm. Në fund të sezonit numri një i stolit të Chelsea-t pritet t’i kërkojë presidentit Roman Abramovich një zgjidhje konsensuale të kontratës.
