Antonio Conte mund të kthehet në krye të Italisë. Lajmi i bujshëm vjen nga mediat angleze, më konkretisht nga “Daily Express” dhe “Sun”, që u referohen burimeve pranë Federatës Italiane të Futbollit. Presidenti Tavecchio po përgatit një ofertë të rëndësishme, që në përfundim të “Rusi 2018”, Conte të marrë menjëherë drejtimin e “të kaltërve”. Italia do të shkojë në botëror me Venturën në stol, sigurisht nëse nuk ndodh e papritura që të eliminohet në play off.
Drejtuesit e Federatës Italianë të Futbollit nuk janë të kënaqur me rezultatet e arritura nga Ventura gjatë muajve të fundit. Nga ana tjetër, edhe Conte nuk është optimist për Chelsea-n e tij, për shkak të një merkatoje të dobët, poshtë pritshmërive të teknikut italian.
Gjatë javës së kaluar Conte u shpreh se kishte nostalgji për Italinë dhe se pas ndonjë eksperience tjetër jashtë vendit të tij, me siguri do të rikthehej.
Conte është i lidhur në kontratë me Chelsea-n për tre sezone dhe klubi londinez mësohet se është gati të shpenzojë në merkaton e janarit për të plotësuar dëshirat e trajnerit, që në Itali kërkohet gjithashtu nga Milani, si pasues i Vincenzo Montella-s.
