Vincenzo Montella duket se e ka marrë ultimatumin nga drejtuesit e Milanit dhe tani po bën gjithçka për të ndryshuar situatën në ekipin e tij. Trajneri i kuqezinjve ka njoftuar pasditen e të martës se ka ndërprerë bashkëpunimin me përgatitësin atletik, Emanuele Marra, me arsyetimin se ky i fundit nuk ishte i gatshëm të ndjekë idetë e reja të trajnerit.
“Rinisja Milanit: Kam menduar shumë se si duhet të rritim cilësinë dhe një nga fushat ku kemi nevojë dhe mundësi të përmirësohemi, është përgatitja atletike. Hartova një plan të ri për të bërë këtë, por për fat të keq nuk gjeta mbështetjen e plotë të përgatitësit atletik Emanuele Marra dhe me keqardhje vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin profesional. Falënderoj Emanuelen për mbështetjen dhe punën që ka bërë në krah tim gjatë këtyre viteve”, shkruante Montella në njoftimin për largimin e përgatitësit atletik.
Milan do të presë të enjten në mbrëmje Rijekën, në një ndeshje të vlefshme për Europa League, por vëmendja është spostuar totalisht te ndeshja e të dielës ndaj Romës, e cila mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Montellës në stol. Orët e fundit mediat italiane raportojnë se drejtuesi i Milanit,Fassone ka kontaktuar edhe me Walter Mazarrin, i cili shikohet si pasardhës i mundshëm i teknikut aktual të kuqezinjve.
