Serge Gnabry është nën kontratë me Bayern Munich edhe për një vit tjetër dhe kampionët në fuqi të Gjermanisë po tentojnë që të rinovojnë me të.
Bavarezët kanë hapur bisedimet me 26-vjeçarin për një zgjatje të kontratës, ka bërë me dije vetë drejtori ekzekutiv i klubit, Oliver Kahn.
Mediet gjermane raportojnë se Gnabry po shqyrton opsionet e tij dhe mund të vendosë të largohet nga gjigantët e Bundesligës, pasi Liverpool dhe Real Madrid kanë shfaqur interes për të. Kahn theksoi se ish-ylli i Hoffenheim po mendon të ardhmen e tij, por negociatat kanë filluar.
“Jemi në bisedime. Serge e di se çfarë kërkojmë ne si klub prej tij, edhe për sa i përket performancës. Ai është në një proces reflektimi. Sapo gjërat të bëhen më të qarta, ne do të tregojmë vendimin e lojtarit.”-tha legjenda e Bayernit për Sport1.
Gnabry iu bashkua Bayernit nga Hoffenheim në qershor 2018. Ai ka qenë një lojtar kyç për kampionët e Gjermanisë gjatë katër viteve të fundit, duke shënuar 62 gola në 167 ndeshje
Gjatë kësaj periudhe bavarezët kanë fituar 10 trofe, duke përfshirë tre tituj të Bundesligës dhe Champions Leaguen. Këtë sezon, sulmuesi ka shënuar 15 gola në 41 ndeshje në të gjitha garat.
