Abissnet Superiore

Nga Brdariç, te Skuka, Kallaku e Matondo, trajneri Mehmeti rrëfehet para Kukësit

Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka dalë në konferencën për shtyp në prag të transfertës ndaj Kukësit, ku ka folur për ndeshjen, formën e lojtarëve, objektivat dhe mbi të gjitha për zërat e zëvendësimit nga Thomas Brdariç.

Si e keni përgatitur ndeshjen ndaj Kukësit?
Përpos ndeshjeve që i kemi shumë të ngjeshura është dhe një ndeshje që është shumë e rëndësishme sepse të dyja skuadrat kanë të njëjtin objektiv. Përgatitja e ndeshjes duk iu referuar dhe ndeshjes që kishim me Dinamon, ishin dy situata që mund ta kishim menaxhuar dhe më mirë që të shkonim 3-0 dhe t’i jepnim pak freski skuadrës. Megjithatë nuk ndodhi ashtu. Skuadra shpenzoi shumë energji sepse luajtëm me inferioritet numerik. Megjithatë skuadra është përgatitur këto dy ditë, kemi dhe një seancë sot, që do të japim veprimet e fundit kundër Kukësit. Është një ndeshje që ka shumë rëndësi, megjithatë kemi punuar në aspektin psikologjik, që skuadra ta interpretojë ashtu siç duhet dhe mos të marri më shumë ngarkesë seç duhet.

Ju shqetëson fakti që Kukësi vjen pas disa rezultatesh negative dhe do të kërkojë fitoren?
Unë mendoj që e kaluara nuk ndikon shumë. Varet nga mënyra se si do ta interpretojnë lojtarët, si do ta përjetojnë ata. Mendoj se në këtë aspekt jemi të barabartë. Ata luajnë në shtëpinë e tyre, në një stadium të ri. Kanë entuziazmin e tifozerisë. Shpresoj që edhe tifozët tanë të na mbështesin. Mendoj se do jenë shumë faktorë që do të ndikojnë nesër dhe do të jetë një histori ndryshe.

A është gati skuadra të përballojë presionin e kalendarit të ngjeshur?
Unë mendoj që skuadra ka treguar forcë karakteri në shumë ndeshje. Fakti kryesor që edhe në ndeshje kur nuk kemi qenë aty ku duhet, ka qenë ngarkesa psikologjike, sepse skuadra se ka nisur ashtu siç duhet kampionatin. Ndeshjet janë shumë të rëndësishme. Normal që ndikon presioni. Për sa i përket kësaj, të gjitha skuadrat që janë në garë, e kanë presionin. Kush do ta menaxhojë më mirë, ajo skuadër do të bëjë diferencën.

Sa do ta vuajë Partizani mungesën e Matondos?
Është një nga lojtarët që në pozicionin e tij bën diferencën. Normalisht që është një lojtar që me atë që ka dhënë ka treguar respekt kundrejt shokëve dhe gjithë opinionit. Megjithatë skuadra e Partizanit ka shumë lojtarë, që dhe ata që do ta zëvendësojnë do të bëjnë shumë mirë. Loja e Partizanit është e fokusuar në lojën e grupit, jo të individit.

Besoni se do ta ruani vendin e tretë deri në fund?
Për sa i përket vendit unë më shumë përpiqem që ta përgatis skuadrën dhe mos t’i jap presion për sa i përket renditjes. I jap rëndësi ndeshjes së radhës sepse është shumë e rëndësishme që lojtarët të fokusohen te stërvitja dhe të mos bëjnë plane afatgjate. Mundohemi të interpretojmë lojën në varësi të kundërshtarit, sepse ndryshe përgatit një ndeshje kundrejt filozofive të ndryshme që do të ketë çdo kundërshtar.

A do të ishte barazimi një rezultat i mirë për Partizanin në këtë transfertë?
Ne futemi për të fituar në çdo ndeshje, kundër çdo kundërshtari. Duhet ta kuptojmë që skuadra e Partizanit është e ndërtuar e tillë, e ka bërë vetë historia që ta kërkojë gjatë gjithë kohës fitoren. Normalisht duhet të shikojmë 90 minuta si do të shkojë situata. Më pas mund të nxjerrim një konkluzion nga tre rezultatet. Por të jeni të bindur që mentalitetin tim dhe të skuadrës, çdo ndeshje vlen vetëm 3 pikë.

E keni qortuar Matondon për kartonin e kuq?
Nuk mbajë mend ta kem qortuar sepse ka qenë një lojtar shumë pozitiv. Nuk kam qortuar Matondon, kam qortuar arbitrin, sepse mendoj se kartoni i parë i verdhë nuk ishte, por kartoni i dytë ishte shumë i drejtë. Normalisht që është i verdhë siç është në rregullore. Për sa i përket kartonit të parë aty isha shumë i pakënaqur sepse nuk mendoj se ishte faull dhe imagjino të ishte karton. Vetëm e kam inkurajuar, sepse dhe ai është njeri. Mund t’i ndodhë kujtdo dhe nuk e kam qortuar fare.

Kallaku duket sërish mjaft gjaknxehtë…
Kjo më pëlqen sepse ka karakter, nuk e pranon ndërrimin. Është gjaknxehtë sepse nuk e kupton ndërrimin. Një trajner mund ta dojë ndërrimin sepse mund të ketë qenë një lëvizje taktike, mund ta dojë ndërrimin sepse nuk ka bërë urdhrat që i kam dhënë, mund ta bëjë ndërrimin sepse mund të mos ketë qenë në formën e tij më të mirë. Kallaku e bëri atë, kërkoi falje dhe unë përsëri e kam falur

Skuka duket i fikur në ndeshjet e fundit…
Duke pasur parasysh një djalë të ri, që është hera e parë që prezantohet në Superiore, me një emër të madh si Partizani. Duhet ta kuptojmë dhe Skukën. Ka nevojë për eksperiencë, këto situata e bëjnë mirë. Mbas ndeshjes së Kupës me Vllazninë, ai e ka ndjerë shumë peshën e humbjes së penalltisë. Jam munduar në maksimum që t’ia ngrejë entuziazmin, është një djalë me karakter. Nuk është ai Skuka që kemi parë. Jemi munduar bashkë me skuadrën që ta ndihmojmë ta kalojë këtë situatë. Megjithatë për mua Skuka është i fituar po t’i kalojë këto situata dhe nuk është se Partizani duhet të presë vetëm nga Skuka. Skuka ka nevojë për Partizanin, jo Partizani për Skukën.

Sa ju shqetësojnë zërat se Partizani po negocion me Brdaric për sezonin e ardhshëm?
Më është bërë shpesh kjo pyetje. Në momentin që kam bërë bisedën me presidentin për të marrë Partizanin, kam bërë një zgjedhje me zemër. Të jem i sinqertë, presidenti nuk më ka dhënë asnjë objektiv. Kemi bërë një bisedë dhe më ka thënë që të dalim nga kjo situatë që jemi. Ka qenë një marrëdhënie prej “gentlemans” me njëri-tjetrin dhe nuk më ka vënë asnjëherë në presion. Për të qenë i sinqertë te Partizani kam qenë me zemër dhe s’i kam parë asnjëherë kontratat. Për sa i përket fjalëve që janë për trajnerin, e rëndësishme është që Partizani të shkojë aty ku e meriton. Normalisht siç e pashë unë që e zgjodha në aspektin e zemrës, që bëra maksimumin për të dalë nga ajo situatë me Partizanin, sepse mos të harrojmë që ishim 3 pikë nga rënia nga kategoria. Dua të jem i qetë dhe të punoj i qetë deri sa të mbarojë kampionati. Në një marrëdhënie duhet të kemi të dyja situatat. E rëndësishme është që trajnerët që të vijnë dhe të bëjnë mirë te Partizani dhe të mos shohin kontratat. Unë nuk e kam parë kontratën

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency