Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Nga futbolli te pandemia, Ergys Luga rrëfen eksperiencën në Kinë dhe planet për të ardhmen

Një dëmtim e detyroi të tërhiqet nga futbolli i luajtur që në moshën 21-vjeçare, megjithatë Ergys Luga nuk hoqi dorë nga sporti i tij i zemrës dhe menjëherë nisi rrugëtimin si trajner.

Pasi mori licencat e nevojshme në Shqipëri, 34-vjeçari nga kryeqyteti nisi menjëherë punë te të rinjtë e Tiranës, ndërsa më pas për disa muaj bëri ndihmës-trajnerin e emrave si Ernest Gjoka, Klodian Duro e Bledar Devolli, në klubin e Kamzës.

Në 2019-ën, Luga kaloi kufijtë e Shqipërisë, pasi i erdhi një ofertë nga Kina e largët për të drejtuar të rinjtë e Shenzhenit dhe siç pranon në rrëfimin për SuperSport, nuk e kishte imagjinuar se do të qëndronte kaq gjatë atje.

“Unë erdha këtu në tetor të vitit 2019 dhe sinqerisht nuk e planifikova të qëndroj kaq gjatë sepse nuk e mendova që do ndjehesha kaq komod sa jam sot. Fillimisht kam punuar me moshat ne Shenzhen, më pas mora detyrën e drejtorit teknik në Jilin Pro dhe tani jam tek Guangzhou U19. Sigurisht vështirësi ka, sepse është kontinent dhe kulturë tjetër. Futbolli këtu është më i “kulturuar” se në Europë, shihet vërtetë si sport. Ka shumë ndryshime nga Shqipëria dhe është normale. Ka diversitet, klube të ndryshme dhe objektiva të ndryshme”, shprehet Ergys Luga.

Eksperienca kineze e ka ndihmuar 34-vjeçarin të çojë përpara idetë e tij dhe të vendosë kontakte me emra të njohur të futbollit botëror si Donadoni e Cruijf.

“Sigurt që jo vetëm për mua, por për cilindo trajner, një eksperiencë jashtë vendit është një faktor plus për karrierën. Kam pasur fatin të bisedoj me ish-trajnerët e Shenzhenit Roberto Donadonin dhe Jordy Crujff. Kurse gjatë eksperiencës time këtu në Guangzhou kam krijuar miqësi me Van Gastel, ish lojtarin e Feyenoordit dhe Mauricio Copertinon ish-ndihmës trajnerin e Vanderlei Luxemburgos. Sigurisht që ne si shqiptarë duhet të punojmë dyfishin e atyre që vijnë nga vendet e mëdha në futboll, por që edhe ne nuk mbetemi prapa në idetë tona tekniko-taktike”, shprehet trajneri kryeqytetas.

Kina ka kthyer prej kohësh vëmendjen nga futbolli dhe këtë e konfirmon edhe Luga, që shprehet se ligji i sponsorizimeve është perfekt dhe mes federatës e qeverisë ka një bashkëpunim shumë të madh për ta çuar këtë sport përpara, diçka të cilën nuk e ka vërejtur ende në Shqipëri.

“Në Shqipëri është për të ardhur keq se sa talente ka vendi ynë dhe ne jemi akoma duke diskutuar për kokëfortësitë e pushteteve vendore. Këtu ka një bashkëpunim marramendës midis qeverisë dhe federatës, dhe ligji i sponsorizimeve është ON TOP. Ka kushte shumë komode dhe shkëmbime eksperiencash me trajnerë të huaj. Teknologjia dhe disiplina e lehtësojnë punën, teksa mund të them se futbolli këtu është i shpejtë dhe me presing të lartë. Punojmë shumë me skemat dhe goditjet standarde”, thotë 34-vjeçari.

Gjatë tre viteve në Kinë, Luga ka marrë jo pak kënaqësi profesionale dhe falë kësaj, ka fituar jo pak respekt në botën e futbollit atje.

“Personalisht ndjej keqardhje sepse e kam përfaqësuar Shenzhenin me grupmoshat U17 dhe U21 në disa turne që fatkeqësisht u ndërprenë nga pandemia. Me CV-në time dhe eksperiencën e mirë që kisha në Shenzhen, i kisha dyert e hapura kudo në Kinë dhe arrita marrëveshje këtu me ekipin e Guangzhu U19 në të cilin jam aktualisht. Kam udhëhequr ekipin në kompeticionet e vjetshme, kur u shpallëm kampionë të Provincës Guangdong me 126 milionë banorë dhe këtë vit arritëm të sigurojmë kalimin për në gjysmëfinalet e kampionatit dhe gjithashtu siguruam përfaqësimin për në AFC Cup që shpresojmë të mbahet në Kine”, tha ai.

Ergys Luga mbërriti në Kinë në një moment të pafat, pasi pak muaj më vonë shpërtheu pandemia, që ia vështirësoi jo pak qëndrimin atje. Gjatë kësaj kohe, tekniku ruajti kontaktet edhe me shqiptarët që luanin në Kinë, si Jahmir Hyka, Albi Alla e Vasil Shkurtaj.

“Ishte një periudhë shumë e vështirë, pasi çdo gjë u shua papritmas. Ajo Kina e madhe me popullsi mbi një miliardë, u karantinua brenda 24 orëve. Ne u lajmëruam me sms që një virus me përmasa serioze po shpërthen nga qyteti i Wuhanit. Të them të vërtetën nuk e mora seriozisht, por kur dëgjova autoritetet që thërrisnin për karantinë, atëherë u shqetësova sepse na u ndërpre puna dhe stërvitja. Të them të drejtën nuk u frikësova fare sepse mu duk që mori përmasa mediatike dhe personat që kishin humbur jetën, kishin kryesisht edhe sëmundje bashkëshoqëruese. Kina sot e kësaj dita i ka masat shumë ekstreme për sa i takon pandemisë, pasi karantinohet e gjitha zona e banimit vetëm për një rast pozitiv. Kam pasur kontakte me të tre shqiptarët që luanin në Kinë, pasi i njihja që në Shqipëri. Me Hykën jemi rritur te Dinamo dhe kemi folur shpesh, duke shkëmbyer ide mbi futbollin e jo vetëm”, u shpreh Luga.

Ndonëse larg, Luga nuk harron të ndjekë futbollin shqiptar, natyrisht nëpërmjet SuperSportit, teksa komenton situatën në klubin ku është rritur, Dinamo, por edhe eliminimin e skuadrave shqiptare në Europë.

“Sigurisht që me anë të SuperSportit jam ndjekës i rregullt i lajmeve dhe kampionatit shqiptar. Sigurisht ruaj kontakte me miqtë dhe trajnerët që kam punuar në Shqipëri. Ndjej keqardhje për situatën ku ndodhet Dinamo, një klub me histori të madhe dhe shumë trofe të fituar. Sezonin e kaluar u krijua një ekip i ri, që ndonëse dha pritshmëritë për të kapur Europën, vuajti jo pak. Pësonte gola që nuk mund të merren dhe me kalimin e kohës skuadra ra edhe moralisht, dhe u prish harmonia në ekip. Sa i përket ecurisë së skuadrave shqiptare në Europë, mendoj se do të vazhdojë të jetë e vështirë, për sa kohë investojnë vetëm presidentët me paratë e tyre. Europa kërkon cilësi, që vijnë vetëm nëpërmjet financave dhe sponsorizimeve. Duhen akademi, terrene, dieta, fjetore, salla force e shums të tjera, të cilat një president klubi nuk mund t’i bëjë i vetëm e pa sponsorizime. Janë pikërisht këto halle që klubet europiane nuk i kanë dhe që ne na pengojnë”, u shpreh trajneri kryeqytetas.

Kombëtarja gjithashtu ka një vëmendje të veçantë nga ana e Ergys Lugës, që thekson se skuadrës i mungon një bomber race dhe për të përsëritur suksesin e 2016-ës, duhet përqendrim maksimal.

“E kam ndjekur Kombëtaren dhe mendoj se duhet të ulemi me këmbë në tokë, pasi euforia na ka penalizuar gjithmonë. Në mbrojtje jemi të afirmuar, por duhet t’i bëjmë lojtarët të shënojnë dhe mendoj se na mungon një bomber që të bëjë diferencën në sulm, pasi kur mungon goli, bie përqendrimi edhe mbrapa. Broja është i ri dhe ka karrierën para, por ne mund të bëjmë mirë vetëm duke ruajtur përqendrimin dhe punuar sa dyfishi i të tjerëve. Në Nations League këtë edicion kemi fat shumë të mirë dhe duhet të fitojmë ndaj Izraelit e Islandës, nëse duam të përsëritim suksesin e 2016-ës”, u shpreh Ergys Luga.

Në Kinë kryeqytetasi ka krijuar edhe stafin e tij të trajnimit, përfshi një përgatitës atletik, ndihmësi që bën edhe video-analistin, si dhe trajneri i portierëve, teksa zbulon se ofertat nuk i kanë munguar dhe hapi i radhës do të jetë padyshim drejtimi i një klubi profesionist.

“Kam pasur oferta nga Arabia Saudite e Bullgaria, por jam i përqendruar te Guangzhou për momentin. Kinë, Shqipëri, apo një vend tjetër, nuk ka shumë rëndësi për mua. Mjafton të më jepet mundësia për të vënë në zbatim idetë e mia dhe eksperiencën e fituar ndër vite”, tha Ergys Luga.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...