Serie A

Nga Handa te Perisic, shumë futbollistë zikaltër me valixhet gati

Inter përgatitet për sprintin final të sezonit, ku do të kërkojë fitoren ndaj Sampdorias dhe në të njëjtën kohë do të shpresojë për një mrekulli në “Mapei Stadium”, pasi vetëm një humbje e Milanit atje mund t’u sjellë titullin kampion.

Në kampin zikaltër janë të qetë para kësaj ndeshjeje dhe të gjithë duan ta mbyllin sezonin, për të nisur më pas pushimet, me apo pa titullin kampion, ndërsa një pjesë e mirë e futbollistëve aktualë janë me valixhet gati dhe mund të mos rikthehen më në Pinetina.

Kështu kapitenit dhe portierit Handanovic, i skadon kontrata në fund të këtij sezoni dhe drejtuesit e Interit i kanë ofruar rinovim një vjeçar, por me pagë 30% më të ulët sesa 3.4 milionë eurot që slloveni fiton aktualisht.

Zikaltrit janë të qetë, pasi kanë firmosur me holandezin Onana, i cili vjen me parametra zero nga Ajaxi, ndërsa Handanovic deri tani nuk ka kthyer përgjigje për ofertën dhe po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga futbolli.

Po në të njëjtën situatë, është edhe kroati Perisic, që po mbyll një sezon fantastik, por pas datës 30 qershor, nuk ka asnjë detyrim kontratual me Interin dhe mund të vendosë vetë të ardhmen e tij.

Për kroatin ofertat nuk mungojnë dhe madje edhe zikaltrit do të provojnë t’i ndryshojnë mendje dhe ta bindin të mbetet në Milano, megjithatë vetë Perisic la të kuptohet se do të largohet, me deklaratat e bëra pas finales së Kupës së Italisë.

I sigurt është ndërkohë edhe largimi i Matias Vecinos dhe Aleksandr Kolarov, që u skadon kontrata dhe drejtuesit e Interit u kanë bërë të qartë që nuk do t’u japin një ofertë tjetër rinovimi, ndërsa në skadencë është edhe mbrojtësi Andrea Ranocchia.

Nuk do të mbetet në Milano as Arturo Vidal, që nuk ka bindur te zikaltrit dhe te Inter janë gati të aktivizojnë klauzolën e prishjes së kontratës, me kilenin që pritet të transferohet te klubi brazilian i Colo Colos.

Ndërkohë Simone Inzaghi ka vënë në listën e largimeve të mundshme edhe kilenin tjetër, Alexis Sanchez, megjithatë në këtë rast zikaltrit duhet të negociojnë, pasi ky i fundit ka edhe një vit kontratë dhe do të pranonte lamtumirën vetëm në rast të një dëmshpërblimi. Situatë të ngjashme ka edhe gardiani rumun Ionut Radu, që pritet të largohet qoftë edhe në huazim për të fituar eksperiencë.

E përfunduar mund të konsiderohet edhe aventura e Filippe Caicedos në Milano, ndërsa në rast të një oferte joshëse, mund të largohen edhe njëri mes Lautaros, Correas, Dumfries e Bastonit, pasi drejtuesit zikaltër kanë ende prioritet sistemimin e bilancit.

Duke parë gjithë këto lëvizje, e sigurt është që Interi i sezonit të ardhshëm do të jetë shumë ndryshe nga ai aktuali, me më tepër fytyra të reja dhe ndoshta më shumë uri për të fituar.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency