“Me djemtë luaja futboll. Kisha vetëm një shoqe, e cila luante në ekipin kundërshtar, por gjithmonë me djemtë. Sa mirë që tani vajzat kanë mundësi të luajnë me njëra-tjetrën!”

Luçije Gjini, futbollistja e Kombëtares shqiptare të femrave, fillon të rrëfehet në të tillë mënyrë për Federatën Shqiptare të Futbollit kur pyetet se me kë luante në fëmijërinë e saj futboll. Fare thjeshtë dhe pa asnjë problem, ajo flet për fëmijërinë e saj të kaluar më së shumti duke luajtur lojën e futbollit, në lagjet me rrugët e pashtruara e me gurë të Sukthit.

Mbaj mend që kur isha fëmijë, e vogël, rreth 8 a 9 vjeçe, dilja në lagje, të pashtruara, ashtu mes gurësh dhe luaja futboll me shokët e lagjes. Unë jam rritur në Sukth, një qytezë e Durrësit dhe mundësitë që të luanim në fushë futbolli ishin thuajse zero. Kujtoj sa herë vritesha nga gjunjët, por kjo nuk më pengonte të vazhdoja të luaja. E kisha me pasion, ndihesha mirë, sikur plotësohesha kur luaja futboll. Edhe në shtëpi kur shkoja pas loje, sërish ndiqja futboll. Sidomos ndeshjet e verës, ndeshjet e vlefshme për Kupën e Botës dhe për kampionatin Europian, të preferuarat e mia.

Mbështetja nga prindërit duket se është një nga problemet kryesore të vajzave të dashuruara me futbollin ditët e sotme. Megjithatë, për Luçijen, duket se nuk ka qenë fort e vështirë t’i bindte prindërit dhe kryesisht të atin që të mos ndiqte një gjimnaz të përgjithshëm, por të vazhdonte rrugën e saj drejt sportit. I ati besonte tek aftësitë e saj, megjithatë, kur e regjistroi në gjimnazin e “Mjeshtërisë Sportive” në Durrës, e futi në klasën e volejbollit.

Unë nuk doja të regjistrohesha në një gjimnaz të përgjithshëm dhe babi ma plotësoi dëshirën duke më regjistruar në shkollën e ‘Mjeshtërisë Sportive’ në Durrës. Megjithatë, ai nuk më futi në klasën e futbollit, por në atë të volejbollit. Nuk e kisha me qejf, paçka se është sport shumë i bukur. Dhe kur të gjithë luanin me dorë, unë përdorja këmbët. Profesori im e shikonte këtë gjë dhe qeshte, por nuk më thonte gjë.

Kur Federata e Futbollit vendosi të mbështeste ekipet e sapokrijuara të femrave me bazë materiale, profesori i Luçijes kishte vendosur të hapte një ekip, që për fat të keq nuk ekziston më. Luçija ishte ndër të parat vajza që u bë pjesë e ekipit, duke ndjekur çdo seancë stërvitore dhe duke qenë e pranishme në çdo ndeshje. Prania në këtë ekip, ishte vetëm fillimi i realizimit të ëndrrës së saj.

Ishte fillimi kur Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të mbështeste klubet e femrave me bazë materiale dhe profesori im i volejbollit vendosi të krijonte ekipin Shkëndija e Durrësit. Shkoja në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje, i ndiqja me kënaqësi dhe shumë pasion. Asnjëherë nuk lodhesha, punoja shumë sepse po luaja futboll. Kam qëndruar për dy vite në këtë ekip, derisa një ditë, Presidenti i Vllaznisë, Lazer Matija më pa dhe vendosi të më kontaktojë. Ne ishim një ekip jo fort i mirë, pësonim shumë gola, por unë kisha shumë ego dhe, edhe pse mund të pësonim disa gola, asnjëherë nuk dorëzohesha. Presidenti e pa këtë tek unë dhe pasi biseduam, ramë dakord që unë të kaloja tek ekipi i Vllaznisë, ose Adës si quhej në atë kohë.”

Ëndrra e Luçije Gjinit fillon të marrë jetë me kalimin tek ekipi i Adës. Ishte viti 2012 kur asaj iu desh të shkëputej nga çdo gjë që kishte krijuar deri atë ditë në Sukth. Nga familja, shokët, njerëzit e dashur, shtëpia, lagjja ku kishte nisur ëndrra, gurët ku ishte ndjerë krenare që ishte vrarë, shkolla ku kishte mësuar. Po shkëputej për të bërë realitet ëndrrën. “Nuk kam marrë asgjë me vete kur kam ikur. Vetëm një çantë me rroba në krahë dhe kaq. Familjarët më shoqëruan deri në Durrës, aty ku mora fugonin për në Shkodër. Prindërit dhe sidomos mami ishin të merakosur, pasi mendonin si do t’ia dilja vetëm. Dhe vërtetë, e mendoja dhe vetë, si do t’ia dilte një 17-vjeçare si puna ime të shkonte dhe të jetonte vetëm në Shkodër. Megjithatë, në sytë e tyre nuk e jepja veten dhe u thoja se isha pak kilometra larg tyre. Vura dëshirën dhe pasionin mbi gjithçka. Fundja, unë po plotësoja ëndrrën time kaq vjeçare.”

Nga udhëtimi drejt qytetit verior e deri te dialekti shkodran, asgjë nuk ka qenë e thjeshtë për Luçin, e pavarësisht kësaj, ajo ia doli në pak kohë të mësonte e të përshtatej. “Kur u nisa ditën e parë, jam nisur paradite herët, pasi duhet të isha prezente në stërvitjen e pasdites. Nuk dija ku do zbrisja, dija vetëm që në fugonin që isha nisur, tabela përpara shkruante ‘Shkodër’. Flisja me disa nga shoqet e ekipit dhe i pyesja shpesh se ku do zbrisja. Kisha emocione, ishte hera ime e parë që po udhëtoja vetëm drejt këtij qyteti, që deri disa kohë më parë, e kisha vizituar vetëm me shkollën. Megjithatë, vajzat më pritën mjaft mirë, u treguan të dashura dhe të kujdesshme që të ndihesha mirë. Kam pasur pak vështirësi në fillim me dialektin, por ia dola të përshtatesha shpejt. ”

Mbrojtje, mesfushë, sulm. Ka provuar çdo pozicion, përveç portës. Tashmë qëndron në pozicionin e mbrojtëses, krenare dhe e pathyeshme. “Para se të shkoja tek ekipi i Adës (Vllaznisë sot), luaja si sulmuese. Në një ndeshje miqësore, provova të luaja në mbrojtje dhe që prej asaj dite mbeta mbrojtëse. Kam provuar edhe mesfushën pasi kemi qenë të detyruara të lëvizim brenda lojës, por pozicioni që unë mbaj sot është mbrojtëse e krahut të majtë”.

Kombëtarja është padyshim ëndërr, që merr jetë për ata të cilët punojnë fort si puna e Gjinit, e cila nga “fusha me gurë” e lagjes së Sukthit, kaloi në fushën e vërtetë të futbollit të Shkodrës, e më tej preku edhe ëndrrën, që në atë moment, duket se ishte bërë realitet. “Erdhi si e papritur, pasi kur erdhi lista e lojtareve të thirrura, emri im nuk ishte. Dy ditë më pas, presidenti më telefonon dhe më thotë që të bëhesha gati pasi do të isha pjesë e ekipit. Di që kam ngelur pa fjalë dhe thjesht mendoja: “Unë në Kombëtare?”. Jam bërë gati në të qindtat e orës dhe kur shkova në grumbullim, dridhesha nga emocionet.”

Për Luçin, fanella e Kombëtares ka peshë të rëndë, e kjo shikohet fare qartë ndërsa e ndjek në ndeshjet që luan ekipi ynë. Teksa rrëfehet për fshf.org, ajo thekson se himni është momenti më i bukur që veçon nga ndeshja, ndërsa thotë se në skuadër, kryefjalë është mirëkuptimi.

“E ndjej shumë peshën e kësaj fanelle. Teksa vesh bluzën në dhomat e zhveshjes, emocionohem gjithmonë dhe mundohem të jap më të mirën në fushë. Kur dal në rreshtim dhe vjen momenti i himnit, gjithmonë më shtohen rrahjet e zemrës. Emocione të mëdha, të papërshkrueshme! Ekipi është rritur. Këtë vit jemi ngjitur një vazo më lart me skuadrën dhe është shumë bukur. Uroj që të gjithë të ndihen krenarë, pasi edhe ne jemi shumë të lumtura dhe mundohemi të japim më të mirën. Po bëjmë një punë të mirë me profesor Grimën, edhe marrëdhënia që kemi është shumë e mirë. E dimë që harmonia dhe bashkëpunimi na ndihmon që ta çojmë ekipin përpara, për këtë arsye, kjo është kryefjalë e çdo grumbullimi te ne. Edhe vajzat që luajnë jashtë vendit i presim shumë mirë dhe mësojmë nga njëra-tjetra. Shkëmbejmë eksperienca me to.”

Si çdo futbolliste e Vllaznisë, momentet më të bukura në futboll i lidh me kualifikimin historik të ekipit shkodran në UEFA Champions League, e me këtë arritje, çdo sakrificë për futbollin merr kuptim. Nuk e mendon të shkëputet nga Vllaznia, pasi e konsideron si ekipin që e rriti dhe i dha emrin “Luçije Gjini e Vllaznisë”. “Kualifikimi në Champions League me Vllazninë ka qenë momenti im më i arrirë në karrierë. Megjithatë, jo vetëm imi besoj, por i gjithë atij grupi të mrekullueshëm vajzash. Kishim vite që e kërkonim diçka të tillë, tentonim dhe e arritëm në 2019. Çdo sakrificë që kisha bërë për futbollin mori kuptim në atë moment. Suksesi vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Me këtë ekip kam arritur çdo gjë dhe nuk e kam ndërmend të shkëputem, pasi kjo skuadër më rriti dhe më bëri Luçije Gjinin e Vllaznisë. Synimi im dhe i grupit është të arrijmë të bëhemi një nga 16 ekipet më të mira të Europës.”

 

Të ardhmen ka vendosur t’ia besojë vetëm futbollit. Nuk mendon kurrsesi të shkëputet nga ky sport, pasi edhe studimet e larta i ka kryer për Edukim Fizik. “Ndërsa luaja futboll, kam studiuar edhe për Edukim Fizik, në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Gjithashtu, jam pajisur edhe me licencën UEFA B dhe synoj të pajisem edhe me licencat UEFA A dhe UEFA PRO. Përderisa luaj futboll, të ardhmen e mendoj veç në futboll.”

Edhe Luçija, ndërsa i kërkon të japë një mesazh për futbollistet e ardhshme, vajzat që kanë dëshirë të luajnë futboll, vendos të korrigjojë pyetjen, duke kërkuar që ta nisë me një mesazh për prindërit. “Në fakt, do të doja ta nisja me një mesazh për prindërit në fillim, pasi për mua, ata janë çelësi i këtij problemi të madh që ne kemi, mentalitetit. Duhet që ta lënë pas idenë që vajzat nuk luajnë futboll. Futbolli nuk ndan dhe nuk thotë, “Unë jam veç për djemtë”. Futbolli është për çdokënd, nga Vermoshi në Konispol. Ndërsa të gjitha vajzave, që duan të luajnë futboll, do t’i kërkoja të luftojnë fort dhe t’u tregojnë jo vetëm prindërve, por të gjithë botës aftësitë e tyre. Tashmë janë mundësitë, ndoshta kur kam nisur unë të luaj ka qenë pak më e vështirë, pasi nuk kishte ekipe femrash, ndërsa sot shohim që falë edhe punës së Federatës, janë hapur kampionate për vajza U-15 e jo vetëm kaq, por edhe luhet futboll me vajzat që në shkollë. Për mua ka qenë një dëshirë, por gëzohem teksa shoh që tashmë është realitet dhe vajzat kanë mundësi të ndryshme stërvitjeje.”