Featured

Ngjarje e rëndë/ Shpërthim me tritol në shtëpinë e Armand Dukës në Durrës

Shpërthim me tritol në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armando Duka. Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në shtëpinë e Dukës në Durrës, në një kohë që aty ndodhej vetëm bashkëshortja e tij, ndërsa menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e ngjarjes, teksa raportimet që vijnë nga Durrësi, flasin për një sasi tritoli të vendosur në derën e jashtme të shtëpisë së kreut të FSHF-së, nga shpërthimi i të cilit duket se ka pasur vetëm dëme materiale.

Ngjarja e rëndë vjen në një ditë mjaft të tensionuar zgjedhjesh për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tirana, ku u përfshi hapur edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili u kërkoi delegatëve të votojnë kandidatin Eduart Prodani.

Gjatë ditës FSHF publikoi audion e diskutimit të Veliajt me delegatët, ku nuk mungojnë tonet fyese dhe kërcënuese të kryetarit të bashkisë, çka bëri që situata paraprijëse e procesit zgjedhor të ishte mjaft e tensionuar.

Veliaj provoi të përfshijë edhe instanca si prokuroria e Tiranës dhe SPAK-u si mjete të presionit, por të dy këto institucione hodhën poshtë ekzistencën e një hetimi ndaj kreut të FSHF-së.

Kur jemi pak më tepër se një muaj larg zgjedhjeve për kreun e FSHF-së, situata sa vjen e tensionohet më shumë, teksa vetë Veliaj ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet dhe se do të provojë të marrë nën kontroll “ishullin” e vetëm që nuk e ka nën ndikimin e tij.

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency