Dinamo City prezantoi këtë të premte logon e re të klubit, duke nisur një kapitull të ri në historinë e klubit. “Nëndetësja blu” synon që brenda pak viteve të kthehet në një skuadër dominuse në futbollin shqiptar e jo vetëm.
Presidenti Adrian Bardhi, duke nisur nga ky edicion do të ketë edhe mbështetjen e Edmond Shahinit, Genc Matajt dhe Ergys Agasit, të cilët gjithashtu bënë prezantimin e tyre dhe u shprehën besimplotë se Dinamo shumë shpejt do të kthehet në nivelet që i takon.
“Është kënaqësi që klubit të Dinamos i bashkohen dhe aksionerët e rinj. Do të jetë një bashkim forcash, për të ardhmen e Dinamso, që të kemi një ekip akoma dhe më konkurrues”, tha Bardhi.
“Dua të falënderoj zotin Bardhi për djersën që ka hedhur ndër vite për Dinamon, por dhe për zgjedhjet për trajnerin dhe drejtorin sportiv”, u shpreh aksioneri Shahini.
“Kthimi në Superligë është një fillim i ri për Dinamon dhe ne në momentin e duhur bashkuam forcat dhe mendojmë ta çojmë më lart Dinamon”, u shpreh Mataj.
Lexo edhe:
- Ilir Daja: Fitore e madhe e Ballkanit dhe e gjithë Kosovës
- VIDEO/ “The show must go on”, Ballkani me një këmbë në grupet e Conference League
- Redon Xhixha nuk ndalet, dhuron asist dhe afron Qarabagun me grupet e Europa League (video)
- Deschamps: Mendy i pafajshëm, por u dënua nga “Gjykata” e medias. Te Franca i ka dyert e hapura
Roli i drejtorit sportiv i është besuar Haris Fakiç, i cili pasi bëri historinë me Skënderbeun, synon që të bëjë mirë dhe tek blutë e kryeqytetit.
“Jam shumë i lumtur që kthehem në Shqipëri. Jam në një klub të madh si Dinamo dhe ky është një projekt tjetër që më pëlqeu që nga kontakti i parë me drejtuesit. Më prezantuan çfarë qëllimesh kanë dhe idetë. Më sfiduan edhe mua dhe unë e vlerësova maksimalisht. Mendoj se është diçka shumë e rëndësishme dhe për mua personalisht që e mora si një sfidë, që ta kthejmë Dinamon atje ku i takon sipas emrit dhe historisë. Është herët të flasim për objektiva, herët edhe për titullin, por jemi munduar sa të kemi mundësi të ndërtojmë një skuadër kompetitive. Ky vit do të jetë viti i stabilizimit në aspektin e rezultateve”, u shpreh Fakiç.
18-herë kampionët po ashtu prezantuan dhe afrimin Bekim Rexhepi, Fatjon Andoni, Veton Tusha, Blend Krasniqi, Lorenco Vila e Baton Zabërgja ndërkohë që Dinamo City prezantoi fanellat e reja, të cilat janë të ngjashme me ato të Manchester City-t.
