Serie A

Nis “përçarja në familjen kuqezi”, pas ankesave të Maldinit, edhe Leao refuzon rinovimin

“Triumfi i një familjeje të vërtetë”, u cilësua ai i Milanit në kampionatin italian, megjithatë kjo familje e fortë rrezikon të nisë shpërbërjen gjatë kësaj vere dhe sinjalet e para i dha Paolo Maldini pak ditë më parë.

Legjenda kuqezi, që mbulon rolin e drejtorit teknik, deklaroi se askush nga klubi nuk e ka kontaktuar për t’i rinovuar kontratën që i skadon më 30 qershor dhe e quajti ofenduese një sjellje të tillë karshi tij.

Si të mos mjaftonte kjo, së fundi edhe Rafael Leao ka refuzuar ofertën për rinovimin e kontratës që i skadon në verën e 2024-ës, pasi ka kërkuar të paktën 6 milionë euro në sezon, nga 4.5 që i kanë ofruar drejtuesit e Milanit.

Menaxheri i portugezit, Jorge Mendes ka bërë me dije se shumë klube në Premier League janë gati të marrin shërbimet e sulmuesit të Milanit, duke shtuar presionin ndaj Milanit, që nuk dëshiron të humbë një tjetër yll me parametra zero, pas Donnarummës, Calhanoglu dhe Kessie gjatë dy viteve të fundit.

Përveç këtyre, edhe rinovimi me Zlatan Ibrahimovic, një lider në dhomat e zhveshjes, është komplikuar ndjeshëm me dëmtimin e 42-vjeçarit, që do të qëndrojë jashtë fushave të lojës të paktën deri në shkurtin e vitit të ardhshëm.

Gjasat që Ibra të rinovojë me Milanin janë minimale, pasi kuqezinjtë nuk janë të gatshëm t’i ofrojnë më shumë se 2 milionë euro për një sezon (praktikisht gjysmë sezoni), shifër kjo qesharake për një si suedezi, që vitet e fundit ka vuajtur nga dëmtimet e shpeshta.

Gjithsesi gjërat mund të marrin një tjetër kthesë, nëse fondi amerikan RedBird do të arrijë të blejë aksionet e klubit nga Elliot, megjithatë mbetet për t’u parë gatishmëria e tyre për të investuar në ngritjen e skuadrës në një tjetër nivel.

Eventet Sportive në SuperSport

Kliko për të komentuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency