Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Ora 20:45, “Tulipanët” gati “të çelin” ndaj Bjellorusisë, Belgjika pret Rusinë

55 skuadra përfaqësuese fillojnë aventurën e tyre për fazën eliminatore të Kampionatit të 16-të Evuropian, finalet e të cilit do të zhvillohen pas 15 muajve dhe për herë të parë me një shpërndarje në 12 vende të ndryshme të Kontinentit të Vjetër, për më tepër bëhet fjalë edhe për një edicion jubilar, që përkon me 60-vjetorin e kompeticionit hapës të mbajtur në Francë.

Këtë të enjte do të zbresë në fushë kombëtarja e Holandës, që këtë aktivitet e ka fituar në vitin 1988 në Gjermani, vit të cilin Ronald Koeman e kujton shumë mirë, pasi trajneri aktual i “Portokallinjve” ka qenë pjesë tepër e rëndësishme e skuadrës, që asokohe kontribuoi në një triumf që edhe sot e kësaj dite përbën suksesin më të madh të “Tulipanëve” në gjithë historinë e tyre.

Në Rotterdam, në orën 20:45, Holanda do të presë Bjellorusinë dhe interesant është fakti që të dy këto ekipe janë kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Kombeve, duke fituar grupet respektive. “Portokallinjtë” lanë prapa në Divizionin A dy kampionet e fundit të botës, pra Gjermaninë dhe Francën, ndërkaq miqtë siguruan vendin e parë në Divizionin D, kuptohet në një grup me skuadra të tilla si Moldavia, Luksemburgu dhe San Marino.

Dy ekipet bëjnë pjesë në Grupin C, grup ku luajnë gjithashtu edhe Gjermania, Irlanda e Veriut dhe Estonia. Ronald Koeman ka ndërtuar një skuadër me moshë mesatare tepër të re, ku sulmuesi Ryan Babel është i vetmi futbollist te të 30-at. Ekipi dihet tashmë ka një lider, pasi shiriti i kapitenit i është besuar qendërmbrojtësit Virgil van Dijk. Sulmi përbëhet nga treshja Babel – Depay – Bergwijn, megjithatë në formacion spikasin gjithashtu edhe lojtarë shumë të talentuar si de Ligt dhe de Jong, pa harruar aspak eksperiencën e emrave të tillë si Cillessen, Daley Blind e Wijnaldum.

Në 15 ndeshjet e fundit “tulipanët” janë mundur vetëm nga Anglia në një test miqësor, si dhe nga Franca në Saint – Denis, në Nations League, të dyja humbje minimale, megjithatë një ecuri e tillë i ka ngjitur “portokallinjtë” deri në vendin e 14-të në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, gjithsesi vlen të përmendet fakti që Holanda në shtëpi i ka fituar që të katërta përballjet me Bjellorusinë, madje me një golaverazh 11-1.

Në Grupin i bie në sy takimi Belgjikë – Rusi. Ndeshja do të luhet në orën 20:45, në Bruksel, dhe “Djajtë e Kuq” nuk do të kenë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm si Meunier, Kompany, De Bruyne, Witsel dhe Romelu Lukaku. Në këtë grup bëjnë pjesë gjithashtu edhe Skocia, Qipro, Kazakistani dhe San Marino, sidoqoftë Belgjika paraqitet në këtë takim pas disfatës së turpshme me Zvicrën, në Ligën e Kombeve, ku ekipi i drejtuar nga spanjolli Roberto Martinez shpërdoroi në Lucernë epërsinë e dy golave, në një kohë kur “Djajve të Kuq” iu mjaftonte qoftë edhe një humbje minimale.

Belgjika nuk pëson dy humbje rresht në ndeshje kompetitive që nga shtatori i vitit 2010, për më tepër skuadra e Roberto Martinez-it kryeson renditjen botërore, me vetëm një pikë më tepër se Franca. Ashtu si Bjellorusia, edhe Belgjika nuk u përzgjodh në 12 shtetet që do të organizojnë Pan – Evropianin e vitit 2020, ndërkaq Rusia që mbyll 50-shen e parë të botës në klasifikimin e FIFA-s, ndonëse minimalisht, i ka humbur dy sfidat e fundit kompetitive me përfaqësuesen belge.

Po në orën 20:45, interes ngjall gjithashtu edhe dueli Austri – Poloni. Të dy vendet nuk arritën të fitojnë dot grupet respektive në Divizionet A dhe B të Nations League, kështu që, si Austria ashtu edhe Polonia, do të bëjnë çmos për të siguruar kualifikimin për në europianin e ardhshëm nëpërmjet ndeshjeve të Grupit G, grup me gjashtë skuadra ku marrin pjesë gjithashtu edhe Izraeli, Sllovenia, Letonia si dhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në Stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës vendasit do të zbresin në fushë pa lojtarë të rëndësishëm, ndërsa “bardhekuqtë”, në krahun tjetër, duhet të zgjidhin dilemën se kush nga dyshja Milik – Piatek do të shoqërojë në sulm kapitenin Robert Lewandoëski. Polonia pozicionohet e 20-ta, ndërsa Austria renditet në vendin e 23-të, gjithsesi “shqiponjat”, që numërojnë 6 ndeshje pa fitore, nuk janë mundur kurrë në ndeshje kompetitive nga përfaqësuesja austriake.

Po për këtë grup, në Shkup, do të luhet edhe ndeshja Republika e Maqedonisë së Veriut – Letoni. Republika balltike ka fituar vetëm 1 nga 14 sfidat e fundit në të gjitha aktivitetet dhe për momentin renditet në vendin e 131-të, plot 60 pozicione poshtë “Luanëve të Kuq”.

Republika e Maqedonisë së Veriut, që ishte një ndër kandidaturat për të pritur ndeshjet e europianit të ardhshëm, është kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Kombeve nga Divizioni D, përfaqësuese ku një kontribut të veçantë kanë pa dyshim edhe futbollistët me origjinë shqiptare si: Bardhi, Hasani, Alioski, Bejtullai dhe Musliu.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...