Peshëngritje

Një kilogram larg historisë, Briken Çalja shpallet nën-kampion bote

Briken Çalja mbi çatinë e botës. Peshëngritësi shqiptar fitoi medalje ari në stilin e Shkëputjes në Botërorin e Peshëngritjes dhe shkoi vetëm një kilogram larg titullit kampion bote në dygarësh dhe shtytje, ku u klasifikua në vendin e dytë. Calja garoi në peshën deri në 73 kilogram bashkë me Erkand Qerimajn dhe ia doli të ngrejë 156 kilogram në stilin e shkëputjes, më shumë se çdo garues tjetër duke varur në qafë arin për Shqipërinë.

Edhe në shtytje Çalja bëri një paraqitje mjaft të mirë, duke ngritur 182 kilogramë në provën e parë, 186 kilogram në të dytën dhe dështoi 190 kilogramë në të tretën, duke humbur titullin kampion në dygarësh për vetëm një kilogram.

Indoneziani Abdullah Rahmat Erwin ishte kampioni i botës në dygarësh, pasi ngriti 151 kilogramë në shkëputje, por 192 në shtytje dhe e mbylli garën me 343 kilogram.

Nga ana tjetër, shtangisti tjetër shqiptar, Erkand Qerimaj ngriti 150 kg në provën e parë, dështoi në të dytën me 153 kg, por ia doli ta ngrejë këtë peshë në provën e tretë, duke u renditur i katërti në stilin e shkëputjes për shkak të peshës trupore.

Në shtytje shkodrani ngriti 180 kg në provën e dytë, pasi dështoi në të njëjtën peshë më herët, ndërsa më pas dështoi edhe në provën e tretë me 183 kg, duke e mbyllur dy-garëshin me 333 kilogramë të ngritura. Nëse Qerimaj do të kishte kaluar me sukses provën e 3-të do të ishte renditur i treti në dygarësh dhe në shkëputje duke i dhuruar Shqipërisë dhe dy medalje të tjera, por e humbi podin për vetëm një kilogram më pak.

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency