Kategoria Superiore

Një skuadër qipriote hyn mes Qaqit dhe Kukësit

Qipro është gati t’i rrëmbejë Kukësit mbrojtësin Harallamb Qaqi. 25-vjeçari që ka mbyllur aventurën me Laçin, është vënë në qendër të vëmendjes në tregun shqiptar. Burime pranë vetë futbollistit bëjnë të ditur se tashmë në garë për shërbimet e tij është edhe një skuadër e kampionatit qipriot, por pa zbuluar emrin e klubit të interesuar.

Qaqi ka një akord në parim me Kukësin, për të vijuar aty karrierën, megjithatë nëse dyert do t’i hapeshin në një kampionat të huaj, atëherë vetë qendërmbrojtësi nuk do të hezitonte. Oferta e bërë në drejtim të tij është tunduese për vetë faktin që ish lojtari i kombëtareve të moshave të Shqipërisë, pretendon të kthehet në vëmendjen e Christian Panuccit.

Prej kohësh Kukësi ka hedhur grepat drejt Qaqit, i cili në Kategorinë Superiore ka admirues të shumtë. Megjithatë nëse mbrojtësi vendos të vijojë aventurën në kampionatin shqiptar, atëherë verilindorët janë opsioni i parë, kjo nisur edhe nga fakti që nënkampionët pretendojnë të ecin sa më gjatë në kompeticionet e UEFA-s, çka do të ishte një vitrinë e mirë edhe për vetë lojtarin.

Në dy sezonet e fundit, Qaqi ka bërë paraqitje shumë të mira me Laçin, ekip i cili përtej parashikimeve, siguroi Europën në fundin e edicionit. Madje qendërmbrojtësi ka shënuar edhe një gol në fitoren 1-3 ndaj Lushnjës në transfertë, duke qenë pjesë e palëvizshme e formacionit të Gentjan Mezanit.

To Top