Christophe Galtier me shumë mundësi do të jetë trajneri i ri i PSG.
Sipas “L’Equipe”, skuadra pariziene është shumë pranë nënshkrimit me 55-vjeçarin, i cili sezonin e kaluar nisi një projekt ambicioz me Nice, por tani gjërat kanë ndryshuar.
Kampionët e Francës kanë gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Nice, me këta të fundit që do të përfitojnë 10 milionë euro nga kjo lëvizje, kjo për shkak se Galtier ka edhe dy vite kontratë me klubin e tij aktual.
Gjithçka do të bëhet zyrtare pas largimit të Pochettino-s, me parizienët të cilët janë në bisedime me avokatët e trajnerit argjentinas për të arritur një marrëveshje për kompensimin e shkarkimit të tij.
Edhe pse fillimisht bëhej fjalë për 15 milionë euro, në orët e fundit negociatat janë ftohur mes palëve dhe ka një ngërç, por që brenda javës do të zgjidhet.
Galtier pritet të bëhet kështu trajneri i tretë francez i epokës së Al-Khelaifi-t në Paris pas Antoine Kombouare (2011-2012) dhe Laurent Blanc (2013-2016).
Christophe dy sezone më parë ia doli të triumfonte në Ligue 1 me Lille duke lënë pas pikërisht PSG dhe konsiderohet si një nga njohësit më të mirë të futbollit francez, ndërsa më parë ka drejtuar edhe St. Etienne, me të cilët fitoi Kupën e Ligës në sezonin 2012-2013.
