Inter triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Milanit në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë dhe u kualifikua në finale, teksa në një “San Siro” të mbushur plot e përplot, Lautaro Martinez mori rolin e protagonistit me dy gola të shënuar.
Një ndeshje mjaft të mirë bënë edhe kroatët Marcelo Brozovic e Ivan Perisic, por edhe mesfushori italian Nicolo Barella.
Notat e futbollistëve zikaltër:
Handanoviç – 6.5: Në pjesën e parë bën tre pritje mjaft të mira ndaj Leaos dhe Saelemakers, por shpëtohet edhe nga Perisic në vijën fatale. Në 45-minutëshin e dytë ka pak punë dhe “fut në xhep” një tjetër derbi pa pësuar.
Skriniar – 6.5: E di mirë që duhet të marrë në konsideratë shpejtësinë e Leaos dhe e ndal shumë herë, ndonëse në ndonjë moment edhe kalohet nga portugezi. Gjithsesi mbetet një pikë e fortë te prapavijës zikaltër.
De Vrij – 6.5: Pas dy golave në derbi, këtë herë merr mjaft mirë masat ndaj Giroud, të cilin “e fut në xhep” dhe nuk i lë asnjë hapësirë për të kërcënuar. Provon të ndërtojë nga poshtë, sa herë që Brozovic bllokohet nga kundërshtarët.
Bastoni – 6: Bën mirë punën e tij, duke mbyllur hapësirat dhe fituar të gjithë dyluftimet ajrore. Largohet i dëmtuar, për t’i lënë vendin D’Ambrossios në minutën e 78’.
Perisic – 7: E nis lehtë ndeshjen, por një faull për një ndërhyrje inekzistente ndaj Theo Hernandez, e acaron mjaftueshëm për të rritur ndjeshëm nivelin. Shpëton portën nga një gol i sigurt mbi vijën fatale, rikuperon topa pa fund dhe është gjithmonë kërcënim për prapavijën kuqezi. (Nga minuta e 78’ Gosens – 6.5: Në prekjen e parë të topit, shënon golin e parë me fanellën zikaltër dhe vulos kalimin në finale. Sulmon portën si pak të tjerë.)
Darmian – 6.5: Jep një asist fantastik që në fillim për Lautaron dhe më pas përqendrohet te bashkëpunimi me Skriniar, për të mbyllur aksin e majtë të Milanit, duke llogaritur shpejtësinë e Theos dhe Leaos.
Brozoviç – 7.5: Vrapon pa fund, i shpëton thuajse gjithmonë mbulimit të Kessie dhe ngrihet lart për të nxjerrë skuadrën në sulm. Nga këmbët e tij nis aksioni për golin e dytë dhe më pas asiston direkt në golin e Gosens. Është oksigjen për zikaltrit.
Barella – 7: E ndjen atmosferën e derbit dhe propozon një nga versionet e tij më të mira, duke vrapuar pa fund dhe ofruar gjithmonë një pikë pasimi për shokët e skuadrës. Për nostalgjikët, ka sjellë në kujtesë Nicola Bertin.
Calhanoglu – 6.5: Vërshëllehet gjithmonë nga ata pak tifozë të Milanit, por nuk i bën më përshtypje, pasi luan derbin e katërt dhe sërish me autoritet e saktësi. Bën mirë deri në të 77-ën, kur ulet për t’i lënë vendin Vidalit.
Lautaro Martinez – 7.5: Është mbrëmja e tij dhe shënon menjëherë një gol për t’u duartrokitur. I dyti është një gol prej bomberi të vërtetë, por përveç golave, tregon shumë cilësi në të gjithë aspektet e lojës.
Correa – 6: Lautaro e lë në hije, por pikërisht Correa çorienton jo pak mbrojtjen kuqezi, pasi është gjithmonë në zonat ku askush nuk e pret.
Inzaghi – 6.5: Fiton derbin e parë pikërisht në mundësinë e katërt, por ama atë më të rëndësishmin, që dërgon Interin në finale. Zgjedh dy lojtarë të shpejtë në sulm dhe fiton duelin me Piolin.
