U luajtën ndeshjet e radhës të kampionatit amerikan të basketbollit, NBA. Ndeshja më e fortë e mbrëmjes ishte padyshim ajo mes kampionëve në fuqi Denver Nuggets dhe skuadrës më të titulluar të dekadës së fundit, Golden State Warriors. Në sfidën e zhvilluar në “Ball Arena”, vendasit nisur edhe nga mbështetja e zjarrtë e tifozëve triumfuan në periodën e parë dhe të dytë duke shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin e 6 pikëve, 53-47.
Në fraksionin tjetër të përballjes Golden State ishte më kërkuese dhe arriti të mbyllë periodën e tretë në avantazh të dy pikëve. Në fund ishte rezervuar spektakli i madh. Perioda e katërt solli përmbysje pas përmbysje duke mos pasur kohë për asnjë sekond pushim. Pas zhurmës së sinjalizimit të mbylljes së takimit ishin kampionët e Nuggets që me vetëm 3 pikë diferencë (108-105) morën fitoren në një ndeshje të çmendur. Shkëlqeu mbi parket sërish Nikola Jokic, që ishte autor i 35 pikëve dhe 13 topave në tabelë.
Lexo edhe:
- Jo vetëm 1/8-tat e Champions League, Inter e para italiane që siguron Botërorin e Klubeve
- “Jam përmirësuar në shumë aspekte”, Asllani: Shokët më ndihmojnë në stërvitje
- Ideja unike për ceremoninë e Messit, planifikohet miqësorja e Kampionëve të Botës me Barçën
- “Kampionati shqiptar nuk i jep dorë të rinjve”, Bushi: Ibrahimovic? Ndoshta pret Gjermaninë
Nga ana tjetër Stephen Curry ngeli në kuotën e 23 pikëve, duke mos bërë më shumë për Warriors. Me këtë sukses Nuggets konsolidon pozitat në krye të klasifikimit të konferencës së perëndimit, ndërsa Golden State pësoi humbjen e dytë në 3 sfidat e fundit.
Në duelin tjetër të mbrëmjes, Lakers mund të quhet zyrtarisht në krizë të thellë rezultatesh, pasi pësoi humbjen e tretë radhazi, kësaj here nga Houston Rockets. Në ndeshjen e luajtur në “Toyota Center” sfida u vulos praktikisht që në pjesën e parë, pasi rezultati shënonte 66-45 për vendasit.
Edhe në periodat e fundit të takimit Rockets ishin dukshëm dominues ndaj Lakers duke mbyllur të gjithë përballjen në shifrat 128-94. LeBron James ishte në hije në këtë takim pasi shënoi vetëm 18 pikë. Skuadra nga Los Angeles nuk e ka nisur mirë këtë edicion duke treguar shumë oshilacione në lojë dhe rezultate.
Në sfidat e tjera të mbrëmjes, Milwaukee Bucks fitoi me shumë vështirësi në shtëpi me rezultatin 120-118 ndaj Detroit Pistons. Takimi u vendos vetëm në periodën e fundit, ku Damian Lillard ishte deçiziv për vendasit.
Sezoni aktual i NBA po tregon se nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave dhe se emrat e mëdhenj nuk po luajnë si të tillë.
