Eden Hazard është përballur me dëmtime të shumta te Reali i Madridit dhe ka humbur formën e dikurshme, pavarësisht se problemet fizike kanë mbaruar dhe po tenton të përfitojë sa më shumë minuta.
31-vjeçari është shumë i rëndësishëm për kombëtaren belge dhe po bën të pamundurën për të qenë sa më në formë në Botërorin Katar 2022, që do të zhvillohet në periudhën 20 nëntor-18 dhjetor.
Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez ka besim maksimal te Hazard. Lojtari ofensiv numëron vetëm 229 minuta aktivizim me Realin këtë sezon, por një statistikë e tillë nuk e shqetëson teknikun spanjoll.
“Nuk mund të vihet fare në diskutim rëndësia e Hazardit te Kombëtarja. Karriera që ka zhvilluar dhe eksperienca që ka, janë tepër të rëndësishme për ne. Ai ishte një ndër lojtarët kyç të Belgjikës në Rusi 2018.
Po flasim për një lojtar me përvojë të madhe. Ai ndihet mirë, nuk ka probleme fizike dhe kjo më bën të besoj tek kapiteni im. Dy vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për të. Në Euro 2020 luajti me dhimbje, por e ndihmoi ekipin me raste.
Më kujtohen mirë 60 minutat e shkëlqyera ndaj Portugalisë. Eden nuk duhet nënvlerësuar, imagjinoni atë që mund t’i japë ekipit një Hazard i freskët dhe në formë”, deklaroi trajneri i Belgjikës.
