Ashtu siç pati deklaruar më herët Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati për Supersport, sulmuesi kenian Ismael Dunga nuk do të jetë më pjesë e shkodranëve, pasi është transferuar në kampionatin japonez.
Futbollisti ka bërë edhe prezantimin zyrtar sot për klubin e Sagan Tosu, i cili po negocionte me shkodranët prej disa javësh dhe më në fund arriti marrëveshjen për të blerë kartonin e kenianit.
“Unë jam Ismael Dunga. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Sagan Tosu. Doja shumë të isha në këtë ekip dhe do të bëj më të mirën këtu”, tha Dunga në videon e prezantimit me tifozët e klubit japonez.
Djarmati preferoi të mos zbulojë detajet e transferimit, por burime për Supersport konfirmon se Vllaznia ka përfituar një shifër prej rreth 100 milionë lekësh të vjetra nga kartoni i Dungës.
Sulmuesi kenian iu bashkua shkodranëve në verë si futbollist i lirë, pasi kishte ndërprerë bashkëpunimin me Tiranën, ndërsa me fanellën kuqeblu luajti 7 ndeshje dhe arriti të shënojë 4 gola.
