Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, foli para gazetarëve për afrimin e Ferhan Hasanit, teksa zbuloi se iu deshën vetëm 10 minuta për ta bindur.
“Nuk ka qenë e vështirë, madje ishte e lehtë, kjo për shkak se u puqën objektivat tanë. Jemi ulur, kemi folur vjet, dhe u bëmë miq. Nuk e mendova në asnjë moment t’i bëja ofertë. Këtë vit natyrshëm që duhet të bashkohej me Partizanin. Prania në derbi mund të ketë ndikuar pak, pasi derbi ndihet edhe pa tifozë. Ndoshta e bëri më të lehtë edhe për mua t’i bëja ofertë. Diskutimi ynë zgjati 10 minuta, jo më shumë”.
Goditja më e madhe: “Çdo afrim që bëj pretendoj dhe shpresoj të jetë vlerë e shtuar për ekipin. Nuk dua të ndalem tek emra të përveçëm, do të ishte mungesë respekti për të tjerët. CV-ja e tij flet vetë dhe ai mendoj se ka dëshirë t’ia lërë fushës përfundimet. Sigurisht është kënaqësi të prezantosh një afrim të tillë, gjithmonë me shpresën se rezultatet do të jenë pozitive”.
“Buba”, sulmues i konfirmuar: “Nuk ishte e nevojshme të shikonim në programe, pasi e kemi parë në vazhdimësi te Shkëndija. Kemi parë edhe ato që ka arritur jashtë Ballkanit. Nuk kishte shumë për të parë. U bazuam te cilësitë e tij si lojtar, por më shumë te cilësitë si njeri. Sjell në ekip një personalitet për t’u admiruar dhe shpresoj të na rritë të gjithëve. Daja e ka ndjekur, Pollozhani e ka pasur në ekip. Nuk ka nevojë të prezantojmë më shumë vlerat morale të “Bubës”, veç atyre sportive, që shihen”.
Derbi me Tiranën për “Bubën”: “Nuk ia morëm Tiranës Ferhan Hasanin, ai ka ardhur te ne. Kur ata po diskutonin, nuk kemi ndërhyrë. Ishte zgjedhja e tij për të ardhur te Partizani. Ishte shumë i natyrshëm dhe i thjeshtë diskutimi me të. Shpresojmë të përsërisim fitore në derbi, këtë herë me Hasanin në fushë.”
