Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Olsi Rama rrëfen fenomenin “Skuka”: Si e fitoi Partizani bastin e humbur nga Dinamo

Xhuljano Skukës i mjaftoi vetëm 1 vit kalendarik te Partizani për t’u bërë transferimi më i shtrenjtë nga kampionati shqiptar. Sulmuesi dibran u transferua te francezët e Metzit për 1.4 milionë euro, ndërsa 20% e kartonit mbeti në pronësi të klubit të kuq. Më shumë se një vit më parë, Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i të kuqve, insistoi dhe besoi te Skuka, i cili atë besim ia shpërbleu më së miri. Për SuperSportin, drejtuesi i kuq tregon se çfarë e bindi të besonte asokohe te 24-vjeçari.

Kërkesa ime për Skukën ka nisur para dy vitesh. Mund të kem bërë katër takime me menaxherin e tij, Elton Marini. Kur morëm Skukën, pashë tek ai disa veti dhe cilësi të mira që mund t’i shërbenin Partizanit. Nuk e parashikoja që ecuria e tij të ishte e tillë, që ai të shënonte më shumë se 20 gola në një vit kalendarit. Është si ajo situata kur shpreson më të mirën dhe përgatitesh për më të keqen, por e ndieja se kisha marrë një lojtar që do të kontribuonte, por jo tek niveli që ai arriti. Skuka ishte një bast i humbur për Dinamon, por unë e kisha parë në pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe dalloja shkëndijat që tregonte vlerat në fushë.

Drejtori i Partizani tregon se puna për transferimin e Skukës kishte nisur prej kohësh, por ishin disa arsye që e konkretizuan kalimin e tij tek skuadra e Metzit.

Ka pasur interes nga disa ekipe konkrete, nga disa menaxherë. Ka pasur interes edhe për tani, në janar, edhe për në verë. Bisedimet kanë nisur që para disa muajsh, me ekipe konkrete, por ishte edhe intuita e presidentit Demi me çfarë ai shikonte  se ishte vlera e Skukës, sigurisht edhe insistimi i Shkumbin Qormemetit, që sollën oferta konkrete e që na çuan te një transferim i tillë efikas. Skuka është ai lojtar që në ato pak muaj te Dinamo nuk bëri gjë, por te Partizani gjeti ekipin ku mund të shprehej dhe arriti që të bënte golat që bëri dhe ne shpresojmë të gjemë një zëvendësues të denjë.

Rama zbulon dhe bisedën që ka pasur me Skukën pasi ai u prezantua në Francë, ndërsa thekson se sulmuesi e ka marrë atë çka i ishte premtuar për sa kohë ishte pjesë e të kuqve.

Kur Skuka erdhi, i kam premtuar se do të trajtohet me respekt dhe ndershmëri e profesionalizëm. Ai është një nga lojtarët më të thjeshtë me të cilët kam pasur marrëdhënie, është një djalë pozitiv dhe jashtë fushe. Ekipi e priti krahëhapur dhe për pak ditë u bë pjesë e grupit. Atë që i kam premtuar, e ka marrë. Komunikimi me të ka qenë: puno lufto e luaj. Pasi firmosi, i thashë bluzën e dytë e dua unë, të parën jepja kujt të duash. Më tha “të parën do t’ia jap babait” e jam dakord në këtë pikë. 

Edhe pse Rama tregohet i sinqertë se besonte shumë te cilësitë e 24-vjeçarit, ai e pranon se askush nuk do ta kishte imagjinuar një transferim të tillë.

Skuka ishte si një gonxhe që nuk kishte çelur akoma, sado largpamës të ishte. Mund të imagjinosh që çel një lule e bukur, por nuk e di se ku do të të çojë. Kur firmosa me Skukën, ishte një nga rastet më të thjeshta, shpresova më të mirën dhe në momentin që e mora, e mora me idenë që duhet të kontribuonte për ekipin. Është rezultat i punës së tij dhe  mbështetjes së ekipit që ai arriti që të shitet në këto shifra.

Drejtori i të kuqve ka dhe një mesazh për Skukën, tek i cili ka besim se mund të bëjë mirë dhe në Francë.

Ka ende shumë punë për të bërë, duhet të vijojë të punojë, ka shumë punë përpara. Rruga nga Dibra në Tiranë është e shkurtër, nga Rinasi në Paris, shumë më e gjatë. Këtë diferencë ai duhet ta përballojë. 

Largimi i Skukës krijon një gropë në skuadrën e Partizani, me dibranin që ishte dhe shënuesi më i mirë i skuadrës, por drejtori i Partizani ka besim se skuadra do të arrijë të realizojë objektivin titull.

Në këtë kampionat e kemi marrë një pjesë të fryteve të punës, por mund të bëjmë dhe më mirë. Është një shprehje që kampionët fitojnë ndeshjet, skuadra kampionatin. Do ta shohim sa i fortë është ky grup. Kam shumë besim, pasi janë lojtarë të mirë dhe djem të mirë dhe besoj.

 

Lajme të tjera

Kategoria Superiore

Xhuliano Skuka nis aventurën e re në Francë, ku do të jetë pjesë e Metz. Sulmuesi dibran kaloi me sukses testet mjekësore mëngjesin e...

Kategoria Superiore

Tirana bind Kristal Abazajn që të kthehet në Abissnet Superiore. Ashtu siç SuperSport raportoi pak ditë më parë, 26-vjeçari do të jetë pjesë e...

Featured

Marsel Ismajlgeci nuk është më lojtari i Tiranës. “SuperSport” mëson se kapiteni është larguar nga ekipi dhe do të transferohet në Bosnja dhe Hercegovina...

Premier League

Dëmtimi i Virgil Van Dijk është padyshim një lajm i keq për Jurgen Klopp, që sheh Liverpoolin e tij këtë sezon, shumë larg formës...