Aventura e Arkadiusz Milik te Napoli mund të konsiderohet vërtetë e pafat. Sulmuesi polak ia bashkua ekipit të Sarrit verën e kaluar, por një dëmtim i rëndë në muajit tetor të 2016-ës e la jashtë fushave për më tepër se 6 muaj.
Të shtunën, në ndeshjen përballë SPAL, Milik pësoi një tjetër dëmtim të rëndë, çka e detyroi të kryejë sërish ndërhyrje kirurgjikale. Klubi i Napolit njoftoi se operacioni ka shkuar me sukses dhe se pritshmëritë janë që sulmuesi 23 vjeçar të rikthehet në fushë pas 4 muajve.
Milik ka luajtur vetëm 20 takime me Napolin, në të cilat ka shënuar 6 gola, gjithsesi forma e shkëlqyer e belgut Dries Mertens ka bërë që ekipi i Sarrit të mos e ‘qajë’ shumë dëmtimin e polakut.
“Miku im, në dy vite ke treguar që je një njeri i fortë, si breda ashtu edhe jashtë fushe dhe sigurisht që do të kthehesh edhe më i fortë se më parë”, shkruan Mertens në profilin e tij në ‘Twitter’, duke inkurajuar shokun e skuadrës.
