Nisja e mbarë i gjysmëstinorit pranveror me fitore 1-0 përballë Vardarit ka lënë të kënaqur trajnerin Qatip Osmani. Vendosi goli i vetëm i Omar Imerit në minutën 23-të, megjithëse skuadra punoi shumë përballë një rivali të motivuar. Në ndeshje të këtilla të vlefshme rëndësi të madhe ka aftësia për menaxhimin e lojës dhe sipas teknikut kuqezi Shkëndija u tregua shumë e kujdesshme në atë drejtim.
“Ishte ndeshje e vështirë në të cilën kishim detyrim tri pikë dhe kjo solli një ngarkesë shtesë të cilën mendoj se Shkëndija e menaxhoi mirë. Duke llogaritur si shkuan gjërat vlerësoj se fituam me meritë”.
Në fitoren kundër Vardarit debutuan dy prurjet e janarit, Agim Ibraimi dhe Zija Merxhani.
“Sigurisht jam i kënaqur me paraqitjen e tyre, pasi ishin në nivel të detyrës, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës. Shënuam vetëm një gol, edhe pse mund të kishim realizuar më shumë. Epërsinë e gjetëm në kohë dhe më pas menaxhuam lojën si duhet. Në pjesën e dytë kishim edhe disa mundësi të mira për gol, por me rëndësi ishte të kontrollonim lojën dhe rezultatin që në fund e mbyllëm në favorin tonë.”
Tri pikë përballë rivalit direkt për titull në start të gjysmësezonit pranveror është fillim ideal për kuqezinjtë, që e shohin veten tetë pikë larg Vardarit në kreun e tabelës.
“Na japin qetësi në luftën për vendin e parë, mirëpo realisht është herët të flitet për titull. Ka edhe shumë për t’u luajtur deri në fund dhe ne patjetër do të qëndrojmë të fokusuar në çdo ndeshje në drejtim të realizimit të aspiratave të këtij sezoni”.