Connect with us

Hi, what are you looking for?

Boks

Pacquiao mposhtet nga Ugas, rrezikon ta mbyllë karrierën me humbje

Manny Pacquiao u mund në Las Vegas nga kubanezi Yordenis Ugas dhe tani përveç humbjes së titullit botëror në peshën “Welter” në versionin WBA boksieri legjendar nga Ishujt Filipine rrezikon që ta mbyllë karrierën e tij të lavdishme me një humbje. Koha do vërtetojë nëse 42-vjecari do ta vazhdojë karrierën e tij për të përmirësuar imazhin pas kësaj disfate sa të rëndë po aq edhe të papritur apo veterani nga Filipinet do të varë “dorezat përfundimisht në gozhdë”. Mbi të gjitha triumfi i 35-vjecarit kubanez në Nevada erdhi në mënyrë krejtësisht të merituar, duke pasur parasysh që vendimi i gjyqtarëve ishte tepër i drejtë, unanim dhe i padiskutueshëm.

Për herë të fundit PacMan ishte ngjitur në ring dy vjet më parë, po në Nevada, në “MGM Grand Garden Arena”, në Paradise të Las Vegasit, për të mposhtur pas 12 raundeve boksierin nga Shtetet e Bashkuara Keith Thurman me “split decision”, pra me gjyqtarët të ndarë në vendimin e tyre përfundimtar. Kongresmeni, nofkë të cilën kampioni i vetëm në historinë e këtij sporti në tetë pesha të ndryshme, e fitoi në vitin 2016, kur u shpall edhe Senator në vendin e tij dhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, pra kishte që nga 20 korriku i vitit 2019 pa boksuar, ndoshta për shkak edhe të pandemisë së koronavirusit. Vetëm pak kohë më parë u përhapën zëra mbi edhe një përballje të re ndërmjet boksierit nga Filipinet dhe rivalit të tij të përbetuar Floyd Mayweather Jr, boksier i cili e mbylli karrierën e tij me rekordin perfekt 50 fitore në 50 ndeshjet e zhvilluara, gjithsesi Pacquiao ishte përgatitur për një kundërshtar krejt tjetër, duke pasur parasysh faktin që përballë veteranit duhej të kishte dalë boksieri nga Shtetet e Bashkuara Errol Spence Jr.

31-vjecari ishte mbajtësi i brezave në Federatat WBC dhe IBF, në peshën deri 66,67 kilogramë, pas suksesit në Texas me vendim unanim pas 12 raundeve ndaj bashkëkombësit të tij Danny Garcia, duke përmirësuar rekordin e tij me 27 fitore në 27 takime, 21 prej të cilave të fituara me knock out, por boksieri njujorkez pati probleme në retinën e syrit të majtë, gjatë fazës përgatitore, dëmtim i pësuar vetëm 11 ditë përpara sfidës së madhe me Pacquiao-n, e për rrjedhojë drejtuesit e Federatës WBA nxorën si sfidant përballë PacMan-it pikërisht 35-vjecarin nga Santiago de Cuba, që kishte humbur 4 nga 30 sfidat gjatë karrierës së tij si profesionist. Në Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008 Yordenis Ugas meritoi medaljen e bronztë, në peshën e lehtë deri 61,23 kg. Dy vjet më vonë ai sakrifikoi duke u larguar në mënyrë të fshehtë nga Kuba, për të hedhur hapat e para në boksin profesionist.

Në vitin 2014 ai hoqi dorë nga boksi dhe u shkëput për dy vjet nga ky sport, megjithatë kthimi i tij ishte sa befasues po aq edhe mbresëlënës, me plot 11 fitore në 12 sfidat e zhvilluara në peshën “Welter”, pra deri afërsisht 67 kg. Përpara se të ngjitej në ring në T-Mobile Arena, në Paradise të Las Vegasit Manny Pacquiao pati deklaruar se ndihej më mirë se kurrë, por në fakt në duelin e tij të 72 në karrierë PacMan u duk një kopje e shëmtuar e kampionit të madh, me të cilin ishin mësuar ndër vite fansat e zjarrtë të këtij sporti. Pacquiao e nisi takimin menjëherë përpara, duke përshkallëzuar sulmet e tij nga trupi në fytyrën e kundërshtarit. Pasi humbi raundin hapës kubanezi ndryshoi taktikë dhe ndëshkoi sportistin e famshëm aziatik me një “jab”, për të fituar më pas betejën në aspektin psikologjik dhe dhënë disa goditje të forta me grushtin e tij të djathtë.

Epërsinë përsa i përket ndeshjes Ugas e mori pas gjysmës së takimit dhe Pac Man-u përveçse i ngathët u duk edhe i lodhur. Në raundin e parafundit Pacquiao i krijoi vetes një mundësi, por gjithsesi sic pranoi edhe vetë në mbyllje pas disfatës ai shpjegoi se nuk kishte shpejtësinë e tij të zakonshme dhe këmbët ndjenë një lodhje të pazakontë. Yordenis Ugas e mbylli raundin final përpara 17.000 të pranishmëve në T-Mobile Arena në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me të drejtë dy gjyqtarë e vlerësuan me fitoren 116-112, ndërsa gjyqtari tjetër dha rezultatin 115-113, natyrisht në favor të 35-vjecarit kubanez, që i shkaktoi në këtë mënyrë humbjen e 8 në karrierë boksierit filipinas, në 72 ndeshje gjithsej. Humbja e parë për “kongresmenin” që nga viti 2017 kur u mposht në Brisbane gjithashtu në peshën “Welter” me vendim unanim pas 12 raundeve, nga boksieri australian Jeff Horn, për të humbur titullin edhe në versionin WBO.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...