Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Palmeiras mposht pastër River Plate në Buenos Aires, finalja një formalitet

Palmeirasi mposhti thellë River Plate-n brenda në Argjentinë, duke hedhur një hap të sigurt drejt finales së madhe të Kupës Libertadores. “Milionerët” kërkonin finalen e tretë radhazi në këtë kompeticion, pas disfatës me Flamengo-n në edicionin e kaluar, megjithatë skuadra e drejtuar nga trajneri Marcelo Gallardo vuajti pasojat e “Superclasico”-s, teksa u mund thellë 3-0 në ndeshjen e vajtjes, në fazën gjysmëfinale të edicionit të 61 të kupës më të rëndësishme të Konfederatës së Amerikës së Jugut, CONMEBOL.

Independente është klubi më i titulluar i këtij kompeticioni me 7 tituj, megjithatë ishte pikërisht impianti i “los diablos rojos”, Estadio Libertadores de America vendi ku Riveri u poshtërua keqas nga një klub si Palmeiras, që pozicionohet vetëm në vendin e gjashtë në kampionatin e Serisë A Braziliane. Vetëm tre ditë pas barazimit drithërues 2-2 në “Bombonera”, në derbin e ashpër me Boca-n, në fazën e grupeve të Kupës së Argjentinës, aktivitet që tani mban emrin e të madhit Diego Maradona, duel ku dy klubet më të famshëm të këtij vendi e mbyllën takimin me nga një futbollist më pak, lojtarët e River Plate-t zbritën në fushën e stadiumit në Avellaneda si favoritë absolutë, për të triumfuar ndaj klubit nga Sao Paolo.

Vendasit numëronin plot 13 ndeshje pa humbje në të gjithë kompeticionet dhe ekipi i Marcelo Gallardos u hodh përpara në kërkim të një goli të shpejtë, ndërsa skuadra “verdao” qëndroi e ngjeshur në gjysmëfushën e saj, për shkak të mungesës së eksepriencës. Trembëdhjetë muaj e gjysmë më parë në Stadiumin Monumental të Limës në Peru, Flamengo drejtohej nga veterani Jorge Jesus, kur kuqezinjtë e klubit nga Rio De Janeiro thyen zemrat e River-it në finale me dy gola të realizuar në fund, në 89’ e 92 nga Gabigol, sidoqoftë trajnerët portugezë janë në modë këto kohë në Brazil dhe krerët e klubit të Palmeiras-it i besuan ekipin pikërisht 42-vjecarit luzitan Abel Ferreira, që përveç ekipit të vendlindjes Penafiel në atdhe kishte drejtuar gjithashtu edhe klube si Vitoria Guimaraes, Sporting Braga dhe Sporting Lisboa.

Me një skuadër me moshë mesatare shumë të re e pa veteranin dhe kapitenin Felipe Melo skuadra e Palmeiras-it rrezikoi dy herë për të pësuar që në minutat e para të takimit. Fillimisht Borre nuk gjeti portën nga një pozicion disi diagonal, ndërsa pak çaste më vonë tentativa e kolumbianit tjetër Carrascal u prit në kohë nga portieri Weverton. Pa u mbushur gjysmë ore lojë Roni ndëshkoi vendasit me golin e parë, me një goditje të fortë në hyrje të zonës, gjuajtje që pësoi edhe një devijim, sidoqoftë gjithçka erdhi pas krosimit të Menino-s dhe topit të larguar jo mirë me këmbë nga portieri Franco Armani.

Reagimi i “los millonarios” ishte vërtet tepër i dobët dhe miqtë përfituan për të dyfishuar shifrat që në startin e pjesës së dytë, kur ish-sulmuesi i Milanit Luiz Adriano kontrolloi më së miri topin e marrë nga Danilo për të shpërthyer me 40 metra sprint dhe mposhtur portierin 34-vjecar të River-it. Pikërisht atëherë kur pritej një lloj reagimi nga 4 herë kampionët e Kupës Libertadores 22-vjecari kolumbian Jorge Carrascal fshiu cdo shpresë, teksa ndërhyri në mënyrë të dhunshme pas një ore lojë ndaj mesfushorit 20-vjecar Gabriel Menino. Kryesori uruguajan Leodan Gonzalez u shtrëngua për të nxjerrë kartonin e kuq dhe sikur të mos mjaftonte kjo pikërisht nga goditja e dënimit që pasoi mbrojtësi i ri uruguajan Matias Vina ktheu me kokë shkëlqyeshëm harkimin e mesfushorit Gustavo Scarpa, për të vulosur përfundimisht edhe shifrat 3-0 në favor të klubit të famshëm nga Sao Paolo.

Riveri numëronte 9 ndeshje pa humbje në Libertadores dhe si për ironi të fatit humbjen e parë dhe të vetme në këtë sezon finalistët e edicionit të kaluar e kishin pësuar në takimin hapës të Grupit D, që më datën 4 mars në kryeqytetin e Ekuadorit Quito, në ndeshjen e humbur thellë po me rezultatin 3-0 nga LDU, pra Liga Deportiva Universitaria. Skuadra e Palmeiras-it që vetëm një javë më parë siguroi edhe finalen e Kupës së Brazilit vazhdon të bëjë kështu përpara pa asnjë humbje dhe triumfi në Avellaneda ishte i nënti në këtë edicion të Kupës Libertadores, ndërsa dy barazimet e vetme “verdao” i ka regjistruar në kryeqytetin e Paraguajit Asuncion, me ekipe si Guarani dhe Libertad. Të gjithë po bëheshin gati për një tjetër Superclasico në finalen e madhe ndërmjet Boca Juniors-it dhe River Plate-t, megjithatë pas një jave Palmeirasi nuk pritet të hasë shumë vështirësi për të konfirmuar edhe finalen e parë në historinë e këtij kompeticioni, pas plot dy dekadave.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...