Cristian Panucci përballë Italisë, përfaqësueses së vendit të tij, të cilën pavarësisht emocioneve të të qenit italian, dëshiron të mposhtë si trajner i Shqipërisë.
“Unë jam italian, por ndihem krenar që jam trajner i Kombëtares Shqiptare. Nesër do jem në fushë me djemtë e mi. Do të isha i lumtur në qoftë se do t’ia dilnim ndaj Italisë. Jam i bindur që do bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Pres një Itali të inatosur dhe shumë serioze, sepse po merr shumë kritika. Dua të kënaqemi me një rezultat shumë të mirë.”
Mungesat: “Me Spanjën munguan Mavraj, Abrashi, Kukeli, Roshi, Cikalleshi, Strakosha, Agolli. 7 dëmtime sigurisht që ndikojnë, sepse janë lojtarë me rëndësi. Dua të them që bëmë një ndeshje të mire me Spanjën.”
Loja e Shqipërisë: “Si ishte Shqipëria me Spanjën? Kur luajtëm me Spanjën në Shqipëri, sa herë e goditëm portën? Sa herë e tentuam portën e Spanjës këtë herë? 14 raste dhe 4 goditje në kuadrat. Sa skuadra kanë luajtur mirë në Spanjë? Përgjigjja është zero.”
Formacioni: “Zgjedhja e formacionit ndaj Spanjës i kishte brenda të gjitha vlerësimet. Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë për t’u fituar. Bëra zgjedhjet duke menduar për të dyja ndeshjet. Në qoftë se luante Sadiku dhe pësonte një dëmtim, unë nuk kisha më sulmues për Italinë. Agolli vinte nga një dëmtim i gjatë dhe nuk mund të luante dy ndeshje radhazi.”
