Partizani reagon pak orë pas publikimit të lajmit në mediat e shkruara për një dëmtim të blerjes më të bujshme të klubit, Edgar Çani. Nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare, klubi i kuq citon mjekun e ekipit Dhimosten Gjini, i cili flet për gjendjen e ish sulmuesit të Kombëtares Shqiptare. “Gjendja fizike që po kalon sulmuesi Çani është thjesht sforcim që ka ardhur për shkak të ngarkesës në stërvitje, fakt i cili është konstatuar edhe nga mjeku Italian, i cili e ka operuar Çanin. Lojtari për disa ditë do të kryejë një program atletik të diferencuar nga grupi për tu riaftësuar , nën kujdesin e fizioterapistëve. Kjo është e vërteta në lidhje me gjendjen fizike të sulmuesit Çani”, thekson mjeku i skuadrës kryeqytetase.
Një reagim deri diku i kuptueshem nga ana e Partizanit që informon tifozët dhe publikun për situatën e shtatlartit të sulmit. Gjithsesi, nuk ka ende asnjë të dhënë për datën e rikthimit të tij në fushën e lojës. Çani u prezantua në klubin e Partizanit vetëm një javë më parë. Ai nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me klubin e kuq ku do të mbajë të veshur fanellën me numrin 9.
