Partizani – Flamurtari nuk është një ndeshje cfarëdo e kampionatit, por është një sfidë midis dy skuadrave që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar. Shpëtim Duro është një nga personazhet më të njohur në ambientin e kuq, më parë si futbollist dhe më pas si trajner. Për të nuk do të jetë një Partizani – Flamurtari, por mund të konsiderohet si një përballje ndërmjet dy krijesave të tija. Mos u habisni, nëse Flamurtari i këtij sezoni është totalisht ekip i krijuar prej Duros, edhe Partizani i sotëm mund të kosniderohet i tillë. I larguar në majin e 2015-ës pas vendit të 3-të në kampionat, ku garën për titull e humbi në javët e fundit, Duro do të rikthehet të luajë ndaj futbollistëve që i njeh shumë mirë. Sot, baza e ekipit të Partizanit është po ajo që 58-vjecari krijoi 3 sezone më parë. Portieri Alban Hoxha, mbrojtësit Labinot Ibrahimi dhe Gëzim Krasniqi, mesfushorët Idi Batha, Emiliano Vila, Lorenc Trashi si dhe sulmuesi Jurgen Bardhi janë sot pjesë e rëndësishme e “të kuqve” po aq sa ishin edhe 3 sezone më parë. Trashi dhe Bardhi u afruan në skuadër në atë periudhë me dëshirën e ish-trajnerit Shpëtim Duro, me numrin 19 që tregoi në sezonin e tij të parë një formë të jashtëzakonshme, duke mbuluar në fushë disa role. Bardhi erdhi si talent i padiskutueshëm, duke marrë minutat e nevojshme në ekipin e parë që në moshën 16-vjecare. Rikthimi i Vilës në kampionatin shqiptar ishte një tjetër këmbëngulje e Duros dhe sot mesfushori durrsak është një nga futbollistët më stabël në formacion. Pas largimit të Duros në stolin e Partizanit kanë qenë të shumtë emrat që kanë ardhur për të drejtuar ekipin, por baza e formacionit ka qënë po ajo, e krijuar nga ish- trajneri. Edhe këtë të diel do të duket si një sfidë brenda familjes për Duron, jo vetëm sepse luan ndaj ish-skuadrës, por më shumë edhe për faktin se do të takohet me ish-futbollistët e tij.