Lajm shumë i rëndësishëm nga Partizani në prag të derbit të kryeqytetit me Tiranën. Klubi i kuq më në fund ka marrë “ok”-in e FIFA-s për aktivizimin e Eraldo Çinarit, i pezulluar muaj më parë për shkak të parregullsive në transferimin e tij te të kuqtë. Në njoftimin e Partizanit sqarohet se “se pas korrespondencave të vazhdueshme me FIFA-n, kjo e fundit ka pranuar kërkesat e klubit për të lejuar aktivizimin e lojtarit Erald Çinari, me efekt të menjëhershëm. Për sulmuesin e kuq periudha e pezullimit konsiderohet e shlyer dhe tashmë Çinari ka rifituar të drejtën për të luajtur ndeshje zyrtare me Partizanin.”
Sulmuesi shkodran tashmë është vlerë e shtuar në organikën e kuq, me trajnerin Ilir Daja që do të ketë në dispozicion një element shumë cilësor në fazën e avanzuar, ku shtohet konkurrenca dhe alternativat. Mbetet për t’u parë nëse 24-vjeçari do të japë kontribut për të kuqtë këtë të enjte, në derbi.
