Analizë

Partizani kryeson me meritë, luftë treshe për mbijetesën

Kombëtarja ka ndalur kampionatin pikërisht në javën e 8-të të tij, me skuadrat që deri më tani kanë marë atë që kanë merituar. Por çfarë na ka treguar ky kampionat kur duhet edhe një javë të mbyllet faza e parë. Partizani gjendet me meritë në krye të klasifikimit, edhe pse pakkush do ta kishte menduar këtë pozicion pas humbjes në Korçë në sfidën hapëse të edicionit. Të kuqtë po tregojnë që mund të shkojnë shumë larg pa zhurmën e viteve të fundit dhe mbi të gjitha pa vendosur objektiva. Për momentin kryesojnë të vetëm si dhe kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit. U mendua që Skënderbeu nuk do të ishte më një kandidat për titull, madje mendohej si një skuadër e cila do të garonte për mesin e tabelës. Megjithatë kampionët pavarësisht ndryshimeve të shumta në përbërje kanë treguar se mbeten një skaudër elitare dhe ndoshta për momentin ekipi me futbollin më të bukur. Jo më kot kanë dhe sulmin më të mirë të kampionatit edhe pse nuk kanë një golashënues të mirëfilltë. Laçi është surpriza edicionit, me kurbinasit që i kanë dhënë leksione ambientit të futbollit. Ruajtja e grupit ka sjellë pjekurinë në skuadër që pas emocioneve të verës europiane, po dhuron emocione edhe në garën që kërkon t’i rikthejë sërish në Europë.

Bardhezinjtë mbeten skuadra e vetme që nuk njeh humbje dhe padiskutim kjo është një meritë absolute e të gjithë ambientit. Ashtu si edhe vjet Kukësi e nisi me oshilacione sezonin, dhe tashmë dy humbjet radhazi e kanë larguar disi me kreun, pavarësisht se janë shumë javë përpara dhe për më tepër nga 3 përballje direkte me të gjithë rivalët. Verilindorët kanë treguar se kurrë nuk dorëzohen dhe se dinë të ngrejnë kokë atëherë kur duhet. Këto 8 javë kanë treguar se në Vlorë ka diçka që nuk shkon, duke qënë se sezon pas sezoni përsëritet e njëjta histori. Megjithatë trajneri Ilir Daja ka qënë i penalizuar edhe nga dëmtimet që nuk e kanë lejuar të hedhë në fushë formacionin ideal. Teuta dhe Tirana e nisën me pretendime, me djemtë e detit që mbeten në pozita të mira për të synuar Europën, ndërkohë që bardheblutë janë një enigmë më vete. 24-hërë kampionët prodhojnë lajm çdo javë me trajnerin Ze Maria që mbetet gjithmonë në diskutim. Këto javë të para të kampionatit kanë treguar që Kamza, Luftëtari dhe Kastrioti duhet të bëjnë llogaritë midis tyre për mbijetesën.

To Top