Abissnet Superiore

Partizani, me Lushnjën për të ndryshuar sërish ecurinë e sezonit

 

Nga Lushnja, te Lushnja. Partizani pret këtë mesjavë sfidën me ekipin që bazuar te rezultatet i ka dhënë më pak Kategorisë Superiore, por që efektivisht ka ndikuar më tepër në sezonin e të kuqve. Nisur nga sfida e 2 Tetorit të kaluar, kur skuadra e drejtuar në atë periudhë nga Mark Iuliano u frenua në barazim pa gola nga debutuesit në elitë. Ishte vetëm java e katërt, por menjëherë prej atij momenti pozitat e trajnerit italian u lëkundën.

Vetëm dy pikë të grumbulluara në katër ndeshje, mes të cilave humbjet me Laçin dhe Skënderbeun ngritën dilemat e para te drejtuesit, nëse me emërimin e Iulianos ishte bërë zgjedhja e gabuar. Në fazën e parë Partizani zhgënjente me lojë dhe rezultate dhe aventura e ish-mbrojtësit të Italisë dhe Juventusit zgjati vetëm një muaj pas përballjes me Lushnjen.

Më 5 Nëntor, pak orë pas humbjes me Kamzën, klubi prishi kontratën me Iulianon, duke rikthyer në stol Sulejman Starovën. Ai ishte hapi i parë i ndryshimit, me 13 pikë të fituara në 6 ndeshje nga mesi i nëntorit deri në dhjetorin e vitit të kaluar.

Revolucioni te të kuqtë vazhdoi në pauzën dimërore të kampionatit me largimet e të gjithë lojtarëve të afruar në fillim të sezonit nga këshilltari Luciano Moggi, ndërsa nga spastrimet e drejtuesve prekën edhe pesë titullarë, nga Malota e Krasniqi, për të vazhduar me Vilën, Sukajn dhe Filin.

Momentalisht Partizani po kalon një tjetër moment të vështirë. Nga vendi i shtatë në kampionat, tek eliminimi nga Kupa që u kthye në objektivin sezonal. Por, pavarësisht dy humbjeve radhazi me Kukësin dhe Skënderbeun, skuadra në fushë ka dhënë sinjale pozitive në lojë, grintë dhe dëshirë.

Këtë herë përballë Lushnjes, Partizani ka shansin t’i japë një tjetër shkundje edicionit, me synimin që të rikthehet në garën për kupat e Europës.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency