Parakalim titulli. Teuta dështon në atë që mund të ishte një “match point” i rëndësishëm, mundet 1-0 nga Partizani në “Niko Dovana”, me të kuqtë që rikthehen fuqishëm në garën për titull falë një goli të Çinarit dhe gafës së Frashërit, duke marrë kryesimin. Edhe pse me pikë të barabarta me bregdetarët, Partizani tani i gëzohet avantazhit ndaj tyre në sfidat direkte. Do të thotë se me dy fitore në sfidat e fundit, të kuqtë janë kampionë.
Me 4-2-3-1 e niste Edi Martinin, me dy Vilat dhe Dejvi Bregun në mbështetje të Krasniqit. Te 4-3-3 i Partizanit, Çinari, Lucas dhe Asani në tredhëmbëshin e sulmit.
Teuta e nis vrullshëm, duke luajtur në sulm, dhe pas pesë minutash duket se ka fillimin e ëndrrave, ku gjatë një aksioni kryesori Olsid Ferataj tregon pikën e bardhë të penalltisë. Protesta të shumta nga Partizani dhe pamjet u japin të drejtë, pasi nuk ekziston një prekje e dyshuar me dorë dhe për fat kryesori e kthen mbrapsht vendimit pas konsultimin me ndihmësin pas porte.
Teuta mbetet para, në të 8’ Dejvi Bregu i driblon të gjithë në zonë, por nuk arrin ta finalizojë si duhet aksionin. Janë minutat e vendasve, me Teutën e Edi Martinit që zhvendoset në gjysëmfushën kundërshtare, në vështirësi Partizani i Ilir Dajës.
Të kuqtë bëjnë goditjen e parë në portë në të 13-ën me Jasir Asanin pa problem për Frashërin. Bregdetarët janë më kërcënues në një goditje potente dhe të kalibruar të Todorovskit, por është vetëm fluturimi i Alban Hoxhës që shpëton Partizanin, dhe për të kuptuar që diferencën e bëjnë portierët vjen momenti vendimtar në të 25’, krosim i gjatë dhe ndoshta pa shumë pretendime i Partizanit, në portë Frashëri bën një gafë të pabesueshme, teksa lë pozicionin dhe del për flutura, Çinari me kokë, me shpatulla pas porte, çon topin në rrjetë.
Partizani në avantazh pas 25 minutave jo dhe aq të mira për të kuqtë, vendimtar edhe një herë Çinari, që i duhet të falënderojë dhe Frashërin për atë veprim naiv. Goli i pret, në një farë mënyrë, gjunjët Teutës, që provon në të 30’ me Rustem Hoxhën, pret në portë Hoxha tjetër, ai i Partizanit.
Ndeshje me tension për Ilir Dajën që e shfryn te kjo goditje topi, edhe pse, me sa duket, inatin e ka me vendimet e arbitrit. Provon dhe Broja me një goditje që pritet nga Frashëri dhe Partizani e mbyll pjesën e parë në avantazh, teksa Daja ka diçka më shumë për t’iu thënë arbitrave.
E dyta nis me Dejvi Bregun që bën një aksion të bukur individual, “djeg” Malën dhe lëshon një goditje që shkon jashtë. Megjithatë janë të kuqtë që i afrohen më pranë golit, goditje fantastike e Muratajt me topin që merr një trajektore të pabesueshme dhe ndalen në kryqëzimin e trarëve, drithërima për Teutën.
Trajnerët nisin zëvendësimet, me Martinin që nxjerr Asion Dajën për t’i bërë vend Sebino Plakut, në kampin e kuq futet Tedi Cara në vend të Lucasit. Në të 63’ asist inteligjenti i Çinarit, që nxjer Bardhin të vetëm me Frashërin, por portieri këtë herë del si duhet për të neutralizuar rrezikun.
Si gjithmonë, Bregu protagonist në kampin e Teutës me një tjetër goditje, edhe një herë i thotë jo Alban Hoxha. Më pas është Renato Arapi që ka në kokë topin e barazimit të mundshëm, por e shpërdoron me një goditje të gabuar.
Fantsastik pak më vonë në krahun tjetër Juregen Bardhi me një gjysmëroveshatë të denjë për mjeshtrat e mëdhenj të futbollit, për vetëm pak centimetra mund të kishte shënuar një gol që do të mbetej në mend gjatë.
Në finale Teuta ndien lodhjen dhe Bardhi prezanton për goditjen e “knock out”-it Jasir Asanin, që gabon një rast të artë për ta mbyllur ndeshjen. Gjithsesi minutat e fundit evidentojnë një Partizan shumë më të fortë fizikisht, që ka madje një tjetër rast në skadimin e kohës së rregullt me Ferhan Hasanin, që nuk fiton dot duelin me Frashërin. Teuta ndërkohë shpërdoron edhe rastin e fundit në shtesë dhe mbyllet 1-0 për Partizanin.
Të kuqtë vulosin një fitore të rëndë, marrin kreun, duke barazuar Teutën me pikë, me vetëm 2 pikë më pak ndjekin Vllaznia e Laçi, që në takimet e radhës do të ndeshen respektivisht me Partizanin e Teutën. Java e 37-të është spektakël më vete.