Kategoria Superiore

Partizani në stërvitje/ pritet Egzon Belica, dy lojtarë nga Kosova në provë

Partizani kthehet në fushë për vitin 2018. Skuadra e Sulejman Starovës nisi përgatitjet dimërore përpara se të transferohet në Antalia në orët e para të mëngjesit të së hënës.Seanca nisi me afro 45 minuta vonesë, edhe sepse pas pushimeve, stafi teknik kreu peshimin e lojtarëve, ndërsa stërvitja nisi menjëherë me testet e shpejtësisë për të vlerësuar gjendjen e ekipit përpara startit të mini-fazës përgatitore.

Në stërvitje i pranishëm ishte edhe Esat Mala, mesfushori që është pjesë e përfaqësueses së 19-vjeçarëve të Kosovës dhe që firmosi me të kuqtë në ditet e fundit të dhjetorit të kaluar.Në provë në skuadër kanë ardhur edhe dy lojtarë nga kampionati kosovar. Bëhet fjalë për Alban Rexhepin dhe Adem Maliqin. Prezenca e Rexhepit, që ka mbrojtur ngjyrat e Dritës, vjen si një sinjal që Partizani kërkon të përforcojë mbrojtjen.

Kjo konfirmohet edhe nga fakti se me ekipin në provë pritet të bashkohet edhe qendër-mbrojtësi Egzon Belica. 27-vjeçari nga Struga ka një karrierë të pasur, pasi përveç Rabotniçkit dhe Shkëndijës në kampionatin maqedonas ka luajtur edhe për finlandezët e Inter Turku dhe Rigan në Letoni.Në orët e para të mëngjesit të së hënës, në datën 8 Janar, Partizani do të udhëtojë drejt Antalias. Gjatë qëndrimit 10-ditor skuadra ka planifikuar të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore me turqit e Kasimpasa dhe Pakhtakor Tashkent nga Uzbekistani.

To Top