Partizani zhvilloi një paraqitje pozitive ndaj Mariborit, megjithëse në fund nuk ia doli të merrte të paktën një barazim skuadra e kuqe shfaqi një futboll të kënaqshëm sidomos po të llogaritet fakti që i nisi përgatitjet më vonë se të tjerët.
Demat po vijojnë të stërviten në kuadër të sfidës së kthimit që do të luhet ditën e enjte në Slloveni. Trajneri Skënder Gega nuk ka pasur në dispozicion Egzon Belicën i cili ka një problem fizik, në një kohë që Esat Mala është stërvitur i diferencuar nga grupi megjithatë pritet të jetë gati për takimin e kthimit.
Edgar Cani që pas mbylljes së fazës përgatitore në Ohër të Maqedonisë vijon të mos jetë i pranishëm në stërvitje, një tjetër sinjal se e ardhmja e tij ka gjasa të jetë larg “demave” pavarësisht se ish sulmuesi i kombëtares është nën kontratë edhe për një sezon tjetër.
Megjithëse kualifikimi duket një mision i vështirë, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i bëjnë të gjitha detyrat e shtëpisë, duke e grumbulluar skuadrën që tani me qëllim që edhe harmonia brenda grupit të shtohet sa më shumë të jetë mundësia. Ndërkohë UEFA ka vendosur edhe gjyqtarin e takimit që do të luhet të enjten në orën 20:15, i cili do të jetë anglezi Paul Tiernei.