Pas Winful Cobbinah, klubi i Superligës egjiptiane, Cleopatra kërkon të firmosë me një tjetër yll të Kategorisë Superiore. “Panorama Sport” zbulon se në radarët e drejtuesve të Cleopatra ka përfunduar kryegolashënuesi i edicionit të kaluar në kampionatin shqiptar sulmuesi i Laçit Kyrian Nwabueze, i cili nuk e ka nisur mirë këtë sezon të ri me kurbinasit dhe një faktor kryesor për këtë është se bomberi nigerian me pasaportë amerikane kërkon largimin nga Laçi pasi është joshur nga një kontratë në terma më të mirë financiarë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim por duhet theksuar se momentalisht merkato në Egjipt është e hapur dhe largimi i Nwabuezes është mëse i mundshëm.
